6 gjëra që fëmija do të mbajë mend nga ju kur të rritet




Jemi rritur nga prindër të ndryshëm, e detyrimisht nga kultura të ndryshme. Ama për çdo herë që flasim mes miqsh rreth fëmijërisë sonë vëmë re se kemi shumë të përbashkëta. Flasim dhe kujtojmë gjëra specifike që çuditërisht i mbajmë mend të gjithë.

Po t’ju pyesnim tani e dimë shumë mirë se i mbani mend herët kur prindërit u zunë keq fare, ku babai mezi e kaloi humbjen e të atit apo kur dolët aq mirë në provim sa mami, që vështirë se lavdëronte lehtë, ju tha: Bravo. Psikologët kanë renditur 6 momente, që fëmijët i kujtojnë përherë edhe pasi kanë kapërcyer fëmijërinë.

1. Kohën që kaluan pranë jush

Ata mbase nuk do të mbajnë mend çdo lodër që morën për ditëlindje apo çdo herë që ju u bletë akullore, ama ka disa gjëra që nguliten thellë në mendjen e fëmijëve shumë më shumë se disa të tjera. Jo gjërat materiale, por eksperienca dhe ndjesitë që morën pranë jush janë ato që vërtet do t’i shoqërojnë deri në fund të jetës.

2. Herët që ju fikët celularin për të qëndruar me ta

Jemi kaq të dhënë pas celularit, sa nuk u kushtojmë rëndësi gjërave të vogla që fëmijët kërkojnë të ndajnë me ne. Nëse do ta lini celularin dhe do të jeni sy e veshë për të dëgjuar apo parë fëmijën tuaj do ta bëni të ndihet i rëndësishëm dhe i rrethuar nga dashuria. Ata e dinë që ju i doni, e ndjejnë, ama ka disa momente specifike ku duan që ju të jeni vërtet aty për ta, jo thjesht fizikisht.

3. Fjalët e ëmbla

Bëjeni fëmijën tuaj të ndihet mirë. Fjalët e kanë këtë fuqi. Mos harroni t’i thoni “Jam krenare për ty”, “Ç’shok të mirë që të kam”, “Të dua shumë”. Nisjani që sot, që tani!

4. Situatat e vështira familjare

Ju jeni shembulli që fëmijët ndjekin, jeni busulla që i ndihmon ata në një botë të panjohur dhe plot pasiguri. Nuk kanë për ta harruar kurrë, përkundrazi do të ndikojë në karakterin dhe sjelljen e tyre mënyra si ju vepruat gjatë një sëmundjeje apo humbje të të afërmit tuaj, si e kapërcyet dhimbjen, sa pranë i qëndruat fëmijës.

5. Karakterin tuaj

Jeta është plot më përgjegjësi dhe vështirësi. Problemet madhore që ju keni nuk kanë të krahasuar me problemet e fëmijës: projekte në shkollë apo detyra shtëpie, ama probleme janë gjithsesi. Nëse dëshironi që të rrisni fëmijë të aftë, të cilët arrijnë ta mbajnë nën kontroll situatën e bashkë me të edhe stresin, bëjini të kujtojnë përherë se si mamaja e tyre i merrte gjërat lehtë- lehtë ndonëse kishte për të gatuar, për të dalë dhe për të punuar.

6. Marrëdhënien e prindërve

Një fëmijë nuk do ta harrojë kurrë si ishte marrëdhënia e mamit dhe babit. Sa duheshin, a duheshin? Si i zgjidhnin gjërat, si silleshin, ku shkonin bashkë për përvjetor, sa herë darkonit të gjithë bashkë, gjithçka. Një fëmijë nuk harron kurrë!




Be the first to comment

Leave a Reply