Abrashi prezanton programin për Prishtinën me 300 projekte




Kandidati i LDK-së për Prishtinën, Arban Abrashi ka prezantuar programin e tij për qeverisjen e kryeqytetit.

Ai ka thënë se fokusi i tij dhe ekipit të tij nëse merr “timonin” e kryeqytetit do të jetë vetë qytetari.

“E mira e kësaj është se pushtetarët lokalë, kryetarët e komunave, problemet, sfidat dhe nevojat i kanë të prekshme dhe janë më lehtë të zgjidhshme”.

“Buxheti i Prishtinës është fleksibil që të trajtojë sfidat dhe kërkesat e një qytetari dhe lagje të Prishtinës”.

Abrashi në “Zona e Prishtinës” në Klan Kosova ka thënë se gjatë javëve të fundit ka takuar shumë qytetarë dhe në bazë të kërkesave të tyre është krijuar një listë e projekteve.

“Kemi një listë prej 300 projektesh të ndryshme që trajtojnë kërkesat e lagjeve. Buxheti i Prishtinës ka fleksibilitet të mjaftueshëm që t’i trajtojë të gjitha”.

“Qytetari në Prishtinë ka një numër të madh të kërkesave që ndërlidhen me infrastrukturë andaj kemi një listë të projekteve të mëdha infrastrukturore, probleme të tjera që përmendin shpesh është çështja e punësimit dhe një fokus të madh do të ketë edhe punësimi”.

“Vëmendje të madhe do t’i japim dy fushave që mendojmë se kanë stagnuar shumë katër vjetët e fundit e që janë kultura dhe sporti. Degradimet që janë bërë në këto fusha kanë lënë pasoja thuajse të riparueshme”.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën ka treguar më në detaje se çka saktësisht parasheh programi i tij për infrastrukturë.

“Me “Prishtinën e Re” nuk duhet të bëjmë gabimin që është bërë më herët”.

“Duhet të bëhet vazhdimi i “Rrugës B”, fillimi i “Rrugës A” dhe mbulimi i ujërave të zeza që kalojnë në Prishtinë. Unazat e Prishtinës, duhet të fillojë sa më shpejt unaza nga Kolovica, Sofalia e deri në Zllatar”.

Ai ka përmendur edhe ujësjellësin duke thënë se jo të gjitha lagjet e kryeqytetit kanë ujë 24 h në ditë.

“Nuk janë ndërtuar nënstacionet e nevojshme, nuk kemi ujë në shumë zona andaj duhen nënstacione që të kemi ujë 24 orë në gjithë Prishtinë”.

“Është edhe një makroplan në zgjerimin e ujësjellësit në fshatrat e Prishtinës dhe projekte të tjera publike si Spitali i Prishtinës që duhet të fillojë sa më shpejt”.




Be the first to comment

Leave a Reply