AKR pret nga qeveria ta shqyrtojë vendimin për shkarkimin e Sefajt




Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj sot nuk do të deklarohet për dorëheqjen e tij ashtu siç ishte raportuar në media.

Aleanca Kosova e Re po pret që kërkesa e kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e Sefajt, të shqyrtohet nëse eventualisht ka lëshime.

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli i ka thënë lajmi.net se nuk është dashtë të vihet deri në këtë situatë.

“Për sot s’ka asgjë ajo është keqinterpretuar, por qëndrimi i partisë është jobllokues, ju e dini që ne kemi kontribuar edhe në krijimin e qeverisë, këtu është krijuar një situatë e që nuk është dashtë me ardhë deri këtu. Ministri Sefaj ka qenë një ndër ministrat më të mirë, edhe i ka kry do punë që deri tash nuk janë kry, sidomos ajo me rastin e vizitës së Gjuriqit në Kosovë, prandaj e kemi marrë me indinjatë të thellë kërkesën e Kryeministrit, mirëpo ajo do të shqyrtohet, eventualisht nëse ka lëshime, por edhe ato lëshime që janë bërë nuk janë bërë me qëllim”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, këtë procedurë e ka udhëheq AKI-ja dhe ajo është dashtë ta njoftoj Qeverinë.

“Ministri ka mendu që janë njoftu, dhe krejt gabimi nëse ka ndonjë të tillë është që ky nuk ka pas rast me e njoftu kryeministrin. Ne e kemi marrë shumë ngatë zemrës këtë situatë, mirëpo ne jemi për atë që me e shqyrtu situatën dhe me e nxjerrë ma të mirën nga kjo”, ka përfunduar Makolli.




Be the first to comment

Leave a Reply