Ambasada e SHBA: Mbështesim versionin aktual të Demarkacionit me Malin e Zi




Shtetet e Bashkuara të Amerikës i qëndrojnë prapa asaj që kanë thënë në dy vitet e fundit për marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi.

 

Në një përgjigje për Gazetën Express kjo ambasadë nuk ka komentuar vendimin e djeshëm të Kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit.

Gazeta Express të martën ka kërkuar nga Ambasada e SHBA’së një përgjigje rreth vendimit të djeshëm të Kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e Murat Mehës dhe Komisionit Shtetëror për shënjimin e kufirit, që ka përgatitur vijën kufitare me Malin e Zi. Në këtë ambasadë nuk kanë komentuar veprimin e Kryeministrit Haradinaj, por kanë riafirmuar qëndrimin e shfaqur në dy vitet e fundit rreth demarkacionit se Kosova nuk ka humbur territor.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin marrëveshjen e arritur për demarkacionin e kufirit ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 2015, me të cilën asnjëra nga shtetet nuk humbasin territor. Ne presim që kjo çështje të zgjidhet shpejt duke ruajtur marrëdhëniet konstruktive dhe shumë pozitive ndërmjet dy vendeve” thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA’së.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë përsëritur qëndrimin e tyre se Kosova nuk ka humbur territor nga kjo marrëveshje.

Madje, Departamenti Amerikan i Shtetit këtë cështje e kishte shqyrtyar enkas duke ardhur në konstatimin se marrëveshja është në përputhje me kufirin e Kosovës të vitit 1974. Vlen të theksohet se aprovimi i demarkacionit me Malin e Zi, Kosovës i ishte kërkuar edhe nga Presidenti i SHBA’së Barack Obama.




Be the first to comment

Leave a Reply