Bahtiri dorëzon tek Veseli peticionin për bashkimin e Mitrovicës




Agim Bahtiri, kryetari i Mitrovicës e ka dorëzuar tek kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, peticionin për bashkimin e Mitrovicës, njofton Klan Kosova.

Bahtiri tha se kërkon nga institucionet e Kosovës ta bëjnë Mitrovicën një, me një kryetar pa dalim etnie.

“Ju e dini kryetar që 15 mijë banorë të shpërngulur nga pjesa e veriut shqiptar ende jetojnë në mëshirën e padrejtësisë që iu ka bë dhe jetojnë në pjesën e jugut si refugjatë në qytetin e vet”.

“Tani qyteti i Mitrovicës së Veriut është duke u udhëhequr nga strukturat paralele. T’i bëjmë peticionin dhe ti drejtohemi kuvendit të Kosovës që në emër të qytetarëve, në emër të asaj sakrifice por edhe në emër të serbëve që janë të bllokuar kërkoj dhe ju lutem vëllazërisht që këtë të drejtoni në institucioni që ju e drejtoni dhe një vendim presim që së shpejti të vije që të bëjmë një status me një kryetar pa dallime etnie”.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Mitrovica do të mbetet për jetë e Kosovës dhe tha se peticioni do të trajtohet në mënyrën shumë serioze.

“Është një peticion do të trajtohen në Kuvendin e Kosovës në bazë të procedurave që kemi. Kemi shumë njerëz të cilët e kërkojnë të mbrohen të drejtat e tyre nga ne. Ne do të punojmë bashkërisht nuk do te ketë acarim eskalim të situatës”.

“Mitrovica është qyteti i mitrovicasve, peticioni do të trajtohet në mënyrën shumë serioze do të shkoj në komisionin përkatës parlamentar dhe do të kemi momentin e vendimmarrjes. Mitrovica është e mitrovicasve dhe Mitrovica do të jetë përjetë e Kosovës”.

Inicimi i këtij peticioni ka filluar në fund të vitit të kaluar, ku janë mbledhur mbi 16 mijë e 500 nënshkrime nga dy komunitetet, shqiptarë dhe serb.

Ishte paralajmëruar se peticioni sot do të dorëzohej edhe në Kryeministri dhe Presidencë, por një gjë e tillë sot nuk do të ndodh.




Be the first to comment

Leave a Reply