Basha, kritikëve në PD: Sulmet ndaj kryetarit nuk janë ide politike




Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar paralajmërimin e  ish-deputetëve demokratë me në krye Patozin për krijimin e një partie të re.

Duke mohuar përçarjen e PD-së, Basha tha se pretendimi se propozimet e tyre nuk janë marrë paraysh nga kryetari janë pretekst.

Basha nënvizoi gjithashtu se sulmet ndaj kryetarit nuk janë ide politike.

Pyetje: A do ishte më e nevojshme të bënit një përpjekje për të bashkuar partinë, eksponentë të lartë kanë paralajmëruar krijimin e një partie të re. A po rrezikohet përçarja e PD?

Basha: PD sapo ka përfunduar procesin e analizës dhe bëhet gati të hedhë hapin përfundimtar drejt ndërtimit dhe riorganizimit të partisë. Është e drejta e çdokujt të bëjë zgjedhjen e tij politike. Pretendimi se propozimet nuk janë shqyrtuar nga kryetari është pretekst, janë forumet dhe Kuvendi i partisë. Kryetari vetëpropozon dhe ka vizionin e tij. Çdokush është i ftuar gjatë gjithë këtij procesi të analizës.

Sulmet ndaj kryetarit nuk janë ide politike, as sulmet ndaj PD në media nuk i shërbejnë demokratëve që përballen ditë për ditë me krimin në pushet, revanshin e drogës, me varfërinë, papunësinë, largimin nga puna dhe ndihma ekonomike. Nuk mendoj se vlejnë as sulmet personale nga kafenetë as deklaratat e pabazuara. Për mua themelore është lufta ndaj krimit, dekriminalizimi që kemi nisur. Ftoj këdo që të bashkohet rreth këtyre vlerave në një proces të hapur, modern dhe europian nga e cila PD do të ndërtojë altnernativën e një transformimi të madh.

Pyetje: Si do ta bashkoni partinë?

Basha: I di shumë mirë përgjegjësitë e mia, besoj se çdo demokrat nuk pret që procesi i bashkimit të partisë të jetë një proces negociatash personale të kryetarit, por të jetë krijimi i në hapësire ku çdokush që ndan këto vlera dhe është gati të kontribuojë pavarësisht nëse ka 27 vite që kontribuon apo do të vijë sot në këtë parti, të ketë mundësi që zëri ti dëgjohet. Kjo është një parti e anëtarëve dhe kemi punë për të bërë.




Be the first to comment

Leave a Reply