Bushati: Berisha i ka nxjerrë para nesh skandalet, ky është turpi më i madh




Analisti Andi Bushati, në një shkrim të publikuar tek Lapsi.al, ka folur për debatin e fundit në media mes Ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe gazetarit Artan Hoxha.

Bushati thotë se në kundërshtim me të tjerë personazhe të medias që mendojnë se rruga më e mirë për të zgjedhur në këtë situatë është bojkotimi mediatik i Berishës, ai rendit arsyet pse kjo nuk duhet të ndodhë.

Bushati thotë se pavarësisht faktit se ai vetë është një nga gazetarët që është sulmuar më ashpër nga Berisha, bojkoti nuk është zgjidhje.

Shkrimi i plotë i Bushatit:

Një koalicion i gjërë kolegësh pro qeveritarë janë përfshirë në një thirrje për të bojkotuar mediatikisht Sali Berishën, pas ndërhyrjes, sa brutale aq edhe vulgare, që ai bëri në emisionin “Studio e hapur” kundër gazetarit Artan Hoxha.

Duhet thënë që në fillim, ai penetrim te Eni Vasili, përmes telefonit, e ulte nivelin e një ish presidenti dhe një ish kryeministri në rangun e një keqbërësi ordiner. Aq më të shpifur e bënin këtë ndjesi akuzat e pa baza që ai renditi ndaj Hoxhës.

Dhe me sa duket ky rast i artë po i shërben kundërshtarëve historikë të Berishës për të larë njëherë e mirë hesapet me të. Tezat tashmë janë të përhapura në tregun mediatik: “T’i bëhet bllok qytetarit dixhital”, “T’i jepet fund këtij komunikimi të denjë për plakat e liga”, “Të mbyllet ky burim i pistët që vetëm hedh vrer mbi faqet e mediave tona”.

Për shumë nga shembujt ata kanë të drejtë. Askush nuk e mohon dot se në lumin e pafundëm të denoncimeve dixhitale të Sali Berishës ka një mal me të pavërteta, gafa skandaloze dhe gënjeshtra të qëllimshme.
Unë personalisht i kam provuar mbi shpinë anatemimet dhe shpifjet e këtij njeriu.

As sot nuk e harroj dot se si erdhi dhe më sulmoi në studion e TV ku punoja, dhe pronari bythëlëpirës i të gjitha pushteteve, jo vetëm që nuk pati guximin të më mbronte, por u bë njësh me të.

Unë vetë e kam përjetuar me habi se si një ish kryeministër mund të marrië penën e të shkruaj për funksionimin e organeve të mija gjenitale. Unë e di nga eksperienca personale se sa të vërteta ka në shpalljen e pucistëve vetëm e vetëm për të fshehur krimin e 21 janarit.
Për të gjitha këto edhe unë duhet të isha i gatshëm t’i bashkohesha korit që bëret: “mbylljani gojën këtij njeriu”.

Por, kur lë mënjëanë emocionet e mija dhe neverinë e gënjështarve të pjesshme, në mendje më vijnë edhe fakte të tjera.
Sot nuk e mbaj mend, por edhe unë me siguri do të kem qeshur sëbashku me korin e atyre që gajaseshin se Berisha është marrosur aq shumë sa tani po thotë se është vjedhur edhe floriri i thesarit të shtetit. Më pas, ndoshta nuk e kam besuar që në fillim, kur u bë i pari që tha se nën regjimin e Ramës droga po transportohej me avionët që uleshin në Gjadër dhe Divjakë.

Fatkeqësisht, për këto Berisha nuk ka gabuar. Një ditë të gjithë e morën vesh se ari i Kërrbës ishte zhdukur dhe se kacatorët e Ramës nuk ishin mushkonja. Ashtu sikurse të gjithë e dinë se Sali Berisha u bë i pari që na tregoi se banda e Shullazit po ndërhynte në zgjedhjet e universitetit dhe që ngriti gishtin mbi disa nga kriminelët e parlamentit, kur për ta nuk bëzënte njeri.

Pra ,pa treguar edhe këtë anë tjetër të medaljes, ne nuk themi të vërtetën e plotë të Sali Berishës. Prandaj thirrja për bojkotimin mediatik të tij më duket e nxituar.
Nga njëra anë unë bie dakord me të gjithë kolegët e mij pro qeveritarë që denoncimet e qytetarit dixhital në shumë raste janë të gënjeshtërta, të shpifura dhe që ato e bëjnë pis mjedisin tonë.

Por, nga ana tjetër unë jam i bindur se përpos lejimit të këtyre shpifjeve, ky mjedis lëngon edhe nga një sëmundje më e madhe: nga pafuqia për të thënë të vërtetat. Turpi ynë nuk është vetëm që lejojmë Berishën të shpifë, turpi ynë, ndoshta edhe më i madh, është që Berisha i ka zbuluar disa skandale para nesh.

Prandaj, sa do e dhimshme që të jetë, deri në një të ardhme më të mirë, unë nuk i bashkohem thirrjes për bojkotimin e Berishës. Sepse ai nuk luftohet duke e censuruar, por duke e bërë të panevojshëm. Dhe që të arrijmë këtu duhet të jemi në lartësinë e tregimit të së vërtetës së plotë.

(F.G/Faxweb.al)




Be the first to comment

Leave a Reply