Çfarë është deficiti i kalorive dhe si të humbni peshë shëndetshëm




Duke marrë parasysh se ndikojnë shumë faktorë në procesin e humbjes së peshës, nuk ekziston ndonjë formulë e përsosur e cila i përshtatet të gjithë njerëzve për të humbur peshë.

Pesha juaj e tanishme, niveli i aktivitetit dhe mënyra si ushqeheni janë faktorët kryesorë të cilët tregojnë sa peshë duhet të humbni dhe sa gjatë do merr kohë ky proces, transmeton Telegrafi.

Përderisa ekspertët tregojnë se humbja e shëndetshme e peshës mund të jetë tejet fitimprurëse dhe të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut të tipit të dytë të diabetit dhe shtypjes së lartë të gjakut, humbja e shpejtë dhe e pakontrolluar e peshës mund të rezultojë në probleme serioze shëndetësore.

SI HUMBET PESHA?
Kur trupi është në deficit të kalorive, do të fillojë t’i shfrytëzojë rezervat e dhjamit për energji. Duke i përdorur ato rezerva, ju gradualisht filloni të humbni peshë.

Por, çfarë njihet si “humbje e shëndetshme e peshës”? Udhëzimet momentale thonë se nga 0.3kg deri në 1kg vlerësohet si humbje e shëndetshme e peshës. Kjo duke u bazuar në një deficit të përditshëm prej 500 kalorive.

Pasi që gjysmë kilogrami dhjam përmban 3.500 kalori, një individ teknikisht duhet t’i humbet mbi gjysmë kilogrami për shtatë ditë.

Sidoqoftë, përderisa është e rekomandueshme të menaxhohet mirë deficiti i kalorive, një deficit i gabueshëm mund të jetë shumë i dëmshëm. Nëse sasia e ushqimit të cilën e konsumoni nuk është e mjaftueshme, ju rrezikoheni për mungesa të vlerave ushqyese të cilat mund të shpijnë në probleme serioze shëndetësore.

P.sh., mungesa e hekurit mund të rezultojë në anemi, transmeton Telegrafi.

Nëse trupi përjeton periudha të gjata të konsumimit të vogël të energjisë, ai futet në fazën e urisë. Në këtë gjendje, trupi fillon të furnizohet nga muskujt me energji, në vend të dhjamit.

Përderisa ju ende mund të vëreni se jeni duke rënë në peshë, proporcioni i masës trupore me muskuj do të ndryshohet në mënyrë negative.

SI TË HUMBNI PESHË SHËNDETSHËM?
Synoni t’i humbni rreth 1 kg në ditë duke bërë ndryshime graduale dhe të qëndrueshme në stilin e jetës. Kjo përfshin një deficit prej 500 kalorive në ditë, përderisa njëkohësisht e rritni nivelin e aktivitetit.

SA GJATË MERR KOHË HUMBJA E PESHËS ME USHTRIME FIZIKE?
Shumica e dinë se ushtrimet fizike djegin kalori, prandaj rritja e aktivitetit fizik ndihmon në humbjen e peshës. Ndryshimet e thjeshta si ecja në shkallë në vend të ashensorit, ecja në vend të punës në vend se të udhëtoni me veturë personale, etj., ndikojnë në ndërtimin e shprehive të shëndetshme.

Udhëzimet e NHS-së specifikojnë se duhet të bëni të paktën 150 minuta në javë aktivitet modest aerobik si çiklizmi apo ecja e shpejtë. 150 minuta në javë do të thotë 30 minuta në ditë.

Ushtrimet e forcës duhet të kryhen dy herë në javë, ndërsa për individët mbipeshë, udhëzimet rekomandojnë të bëjnë më shumë se 250 minuta ushtrime aerobike në javë.

SI TA MATNI HUMBJEN E PESHËS?
Përderisa shumica e masin humbjen e peshës në peshore, është e rëndësishme ta matni edhe gjerësinë e belit. Humbja e disa centimetrave në bel është e shëndetshme për zemrën sepse e zvogëlon sasinë e dhjamit të organeve të brendshme (dhjamit që e rrethon mëlçinë, pankreasin dhe zorrët).

Zvogëlimi i dhjamit rreth këtyre organeve të rëndësishme e zvogëlon rrezikun e diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare.




Be the first to comment

Leave a Reply