Dënohet me tri vjet burg i akuzuari për lidhje me “Al Nusra”-n




Gjykata Themelore e Pejës ka dënuar të akuzuarin për terrorizëm, Sokol Morinën, me tri vjet burgim me kusht.
Trupi gjykues ka vendosur që dënimi ndaj Morinës, i akuzuar për bashkim me organizatën terroriste “Al-Nusra”, të mos ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër penale brenda dy viteve.

Morina akuzohej nga Prokuroria Speciale për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste në Siri gjatë vitit 2013-2014.

Në fjalën përfundimtare në gjykatë, tri ditë më parë, Prokurori Sylë Hoxha tha se mbetet në tërësi para aktakuzës që e bëri Morinën përgjegjës për veprën penale me të cilën akuzohet.

Prokuroria pretendonte se Sokol Morina e Alban Shala në mesin e vitit 2013 udhëtuan nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, prej ku më pas vazhduan rrugën për në qytetin Hataj, ku edhe kishin kaluar kufirin turko-sirian ilegalisht dhe kishin shkuar në kampin stërvitor të “Al Nusra”-s në qytetin e Alepos, ku edhe ishin rekrutuar.

Sipas aktakuzës, pas disa luftimesh në qytetin sirian Alepo, Morina ishte plagosur në gju dhe për këtë arsye ishte kthyer përkohësisht në Kosovë, për t’u shëruar. Është kjo kohë kur kishin lindur dyshimet e para të prokurorisë për aktivitetin e tij.




Be the first to comment

Leave a Reply