Dështoi sistematizimi i administratorëve shqiptarë




Dështon edhe një herë sistematizimi i administratorëve shqiptarë të cilët marrin paga ndërsa qëndrojnë në shtëpi. Të paktën deri më tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete drejt zgjidhjes së këtij problemi. Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit hesht për sistemimin e administratorëve shqiptarë, të cilët për vite me radhë marrin rroga në mënyrë pasive.

Pavarësisht tentimeve të ALSAT, shërbimet e këtij institucioni përgjegjës për këtë çështje, thanë se drejtuesit e saj janë në pushim, me c’rast edhe përgjigja është e pamundur. Ndërkaq nga Qeveria dhe Ministria për shoqëri informatike dhe administratë, thonë se ky problem është kompleks dhe nuk mund të zgjidhet brenda natës.

“Qeveria e re është zotuar për zgjidhjen e këtij problemi në afat sa më të shkurt të mundshëm, por pavarësisht, kujtojmë se Qeveria e re funksionon tre muaj jo të plota. Pavarësisht interesimit të qytetarëve, kjo nuk është punë e cila mund të zgjidhet brenda natës. Edhe përkundër pritshmërie të rezultateve nga analiza funksionale e cila përfshinë gjithë administratën, Qeveria punon në zgjidhjen e këtij problemi. Shpresojmë se në afat sa më të shkurtër, do të kryejmë sistemimin e këtyre personave në përputhje me vendin e tyre të punës. Kjo gjendje nuk guxon më tej të vazhdojë” – njoftojnë nga Qeveria dhe Ministria për shoqëri Informatike dhe Administratë.

Punësimi i administratorëve shqiptarë në administratën publike, i cili erdhi si nevojë e përfaqësimit të barabartë që parashihet në Marrëveshjen e Ohrit, është premtuar shumë herë nga përfaqësuesit e institucioneve kompetente. Në gusht të vitit të kaluar, ish zv/kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Festim Halili premtoi sistemimin e 800 administratorëve edhe atë brenda një muaji, por edhe pas një viti ky premtim nuk po gjen zbatim. Në nëntor të vitit të kaluar, ish ministrja e shoqërisë informatike dhe administratës Marta Arsovska Tomovska pati deklaruar se është ndërprerë procedura për sistemimin e administratorëve nëpër vendet e tyre të punës, si pasojë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por Arsovska pavarësisht kësaj, u zotua në përfundimin e kësaj procedure.

Gjatë vërshimeve që ndodhën vitin e kaluar në Hasanbeg, administratorët shqiptarë ishin thirrur që të ndihmojnë në pastrimin e baltës dhe mbetjeve të cilat u bartën në fshat nga reshjet e dendura të shiut.

Për momentin numri i administratorëve të cilët marrin paga duke mos pasur një vend pune është mbi 1700. /Alsat-m/




Be the first to comment

Leave a Reply