Drejtimi i CIA-s, Mediat: Gina Haspel u përpoq të tërhiqej nga nominimi




Në prag të seancës së konfirmimit në krye të CIA-s, Xhina Hespëll është përpjekur të tërhiqet nga nominimi. E zgjedhura e presidentit Donald Trump raportohet nga mediat amerikane se ka shprehur frikë për shqetësimet e shumta të ngritura për rolin e saj në programin e torturave të CIA-s. Por presidenti Donald Trump ka mbrojtur zonjën Hespëll duke e konsideruar si personin më të kualifikuar për të marrë drejtimin e agjensisë së inteligjencës.

E përzgjedhura e presidentit Donald Trump për të drejtuar Agjensinë Qendrore të Inteligjencës është përpjekur të tërhiqet nga nominimi. Sipas mediave amerikane, Gina Haspel ka shprehur frikën se seanca e vështirë e konfirmimit që e pret në Senat, do të dëmtojë reputacionin e saj dhe të CIA-s. Ekzistojnë shqetësime se gjatë 33 viteve të saj në pozicione të ndryshme brenda Agjensisë së Inteligjencës, zonja Haspel është përfshirë në përdorimin e teknikave të ashpra të hetimit për terroristët e dyshuar, të konsideruara si torturë. Sidoqoftë, pas një sërë takimesh gjatë javës së kaluar, zonja Haspel kishte vendosur të mos tërhiqej.

Nominimi i saj është mbrojtur nga presidenti Donald Trump. Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, kreu i shtetit deklaroi se Haspel ishte vendosur në mënyrë të pakuptimtë nën kritika. “Vetëm mendoni se në këto kohë të vështira, ne kemi personin më të kualifikuar, një grua të cilën demokratët nuk e duan sepse ajo është shumë e ashpër ndaj terroristëve. Fitore për Ginan,” shkruan presidenti në mesazhin e tij.

Të mërkurën, Senati amerikan do të marrë në pyetje zonjën Haspel, e cila u përzgjodh nga Trump si pasuese e Mike Pompeos, i cili u emërua në postin e sekretarit të shtetit. Seanca e konfirmimit nuk parashikohet të jetë e lehtë për 61-vjeçaren, pasi demokratët pritet ta pyesin gjerësisht për rolin që ajo ka patur në programin polemizues të torturës së CIA-s. Megjithatë, në rast konfirmimi, Gina Haspel do të bëhet e para grua që drejton agjensinë amerikane të inteligjencës.




Be the first to comment

Leave a Reply