“Emri”, Maqedonia dhe Greqia shkëmbejnë draft-propozimet




Maqedonia dhe Greqia shkëmbejnë draft-propozime për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar rreth çështjes së emrit. Ndonëse nuk zbulohen detaje, synohet që me këto drafte të ndihmohet formulimi i versionit përfundimtar i marrëveshjes eventuale mes dy palëve. Shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov ndër tjerash tha se po punohet në tejkalimin e dallimeve ekzistuese dhe se është e mundur të arrihet një marrëveshje e dinjitetshme, nëse tek të dyja palët ekziston vullnet për një gjë të tillë.

Sot në orët e pasdites, në Athinë, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë e dorëzoi deri te pala greke draft-propozimin që u përgatit intenzivisht ditët e fundit nga ana jonë, draft-marrëveshjen maqedonase. Njëkohësisht konfirmoj se ditët e kaluara e pranuam propozim-marrëveshjen greke. Dhe me komunikimin që kryesisht udhëhiqej gojarisht, hymë në fazë ku kemi dokumente të shkruara – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Ndërkaq shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocijas dy ditë para vizitës së tij në Shkup, ka konfirmuar se draft-propozimi grek për emrin përmban 5 propozime, nga të cilat dominon “Gorna Makedonija”, “linjat e kuqe” greke edhe agjendë për bashkëpunimin e ardhshëm.

Të ju them diçka ekskluzive. Ne kemi bërë një tekst që përbëhet nga të gjitha propozimet tona sa i përket problemeve që kemi me Maqedoninë si dhe agjendën e ardhshme bashkëpunuese që do të sjellë përfitime për të dyja palët. E kam dërguar këtë agjendë ditë më parë në Shkup – deklaroi  Nikos Kocijas, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Jozyrtarisht, drafti grek përmban dokument 20 faqësh, 55 paragrafësh, i cili mbështet një emër të papërkthyeshëm dhe të pandashëm dhe i cili përfshin edhe ndryshime kushtetuese. Kështu, pavarësisht optimizmit të krerëve të dy shteteve se do të gjendet zgjidhje, mediat greke shkruajnë se një gjë e tillë është vështirë e arritshme. Kjo për shkak të krizës politike në Shkup, të cilën sipas tyre nuk po mund ta kontrolloje kryeministri Zaev dhe këmbënguljes së nacionalistëve se nuk do të lejojnë zgjidhje, nga njëra anë dhe pasigurisë që marrëveshja të kalojë në Athinë, nga ana tjetër. Lideri i partisë së koalicionit qeveritar, Liderët e Pavarur, Panos Kamenos përsëriti qëndrimin se partia e tij dëshiron zgjidhje, por siç u shpreh “pa e dhënë termin “Maqedoni” dhe se parakusht për të njëjtën është ndryshimi i Kushtetutës së vendit fqinj. Ndërkaq presidenti i Parlamentit të Greqisë, Nikos Vucis sqaroi se organizatat pan-maqedonase i kanë kërcënuar me vdekje të gjithë deputetët që do të votonin pro një emri të përbërë, nëse i njëjti do të jetë në seancë parlamentare. Për shkak të negociatave për emrin disa herë është kërcënuar edhe shefi i diplomacisë greke, Kocijas. Tashmë zyrtarisht ky i fundit do të jetë në Shkup të enjten dhe të premten, ndërsa më 30 mars Kocijas, Dimitrov dhe ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic do të takohen në Vjenë.




Be the first to comment

Leave a Reply