Fleckenstein: Për reformat, konsensus pozitë-opozitë




Reformat gjithëpërfshirëse dhe një konsensus i gjerë pozitë-opozitë, ishin në qendër të bisedës së zhvilluar gjatë një takimi pune mes Presidentit të vendit Ilir meta dhe Raportuesit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein.

“Avancimi i reformave gjithpërfshirëse dhe me konsensus sa më të gjerë mes pozitës dhe opozitës, me qëllim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe mundësimi i një klime politike mirëbesimi dhe bashkëveprimi të ngushtë është shumë i rëndësishëm në këtë proces“, ka deklaruar gjatë takimit Meta.

Sipas njoftimit për shtyp, Presidenti i Republikës  nënvizoi se një rëndësi madhore ka zbatimi i Reformës në Drejtësi, në veçanti ecuria e procesit të Vetingut, me synim krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të drejtësisë.

Po ashtu Fleckenstein ka zhvilluar një takim me kryetarin e kuvendit Gramoz Ruçi. Ky i fundit ka theksuar se Rezultati i zgjedhjeve të qershorit ishte një mandat i qartë për reformat evropianizuese.

“Ne kemi filluar zbatimin e reformës në drejtësi, që u miratua me konsensus ndërpartiak në korrik 2016 dhe që do të forcojë ndjeshëm luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, është shprehur Ruçi, i cili po ashtu e ka lidhur hapjen e negociatave me Bashkimin Europian me zbatimin e reformës në drejtësi.

Ndërkohë, Fleckenstein vlerësoi në takimin me Ruçin se zgjedhjet e 25 qershorit ishin më të mirat që Shqipëria ka mbajtur ndonjëherë, duke shprehur bindjen se në qershor të vitit të ardhshëm, Komisioni Evropian të hapë dritën jeshile për negociatat. Pas mesditës Fleckenstein ka zhvilluar dhe një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.




Be the first to comment

Leave a Reply