Gjendet i vrarë djali i ish-kryeministrit turk




Është gjetur i vrarë në shtëpinë e tij në Stamboll mëngjesin e së shtunës djali i tri herë ish-kryeministrit të Turqisë, Mesut Yilmaz.

Policia e ka klasifikuar vdekjen si të dyshimtë, teksa hetimet e para tregojnë për vetëvrasje. Biznesmeni 38-vjeçar Yavuz Yilmaz, sipas agjencisë së lajmeve “IHA”, raportohet t’i ketë dhënë fund jetës me armën e të atit, “Smith Wesson”.

Sipas burimeve nga policia, janë marrë dëshmitë e 4 personave, shoferit, trupërojës dhe dy punonjëseve të Yilmaz.

Ish-kryeministri turk dhe bashkëshortja e tij ishin në një vizitë në SHBA kur morën lajmin e kobshëm dhe janë rikthyer me urgjencë në Stamboll.

Yilmaz u gjet i pajetë në krevatin e tij, i qëlluar me një plumb në kokë. Punonjësit thanë se Yilmaz e kishte kaluar natën i vetëm.

Sipas ministrit të brendshëm turk, Suleyman Soylu, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm. 70-vjeçari Mesut Yilmaz ka shërbyer tri herë si kryeministër i Turqisë mes viteve 1991-1999.




Be the first to comment

Leave a Reply