Haradinaj: Demarkacioni aktual është i gabuar, s’i vonojmë vizat (Video)




Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të veprojë shpejt për të zgjidhur çështjen e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, që është një nga sfidat e vjetra me të cilat do të përballet qeveria e tij.

Një ditë pasi që parlamenti votoi zgjedhjen e tij për kryeministër, Haradinaj ka theksuar, në një intervistë për Zërin e Amerikës, se bisedimet me Serbinë nuk kanë alternativë, por vazhdimit të tyre duhet t’u paraprijë një dialog i brendshëm në Kosovë.

“Parimet e mia politike nuk bazohen në rast të opozitës apo pushtetit, unë mbroj atë që besoj dhe deklarohem për atë që besoj. Versioni i tanishëm i marrëveshjes është i gabuar. Kufiri Kosovë-Mali i Zi është në Çakorr dhe në Kullë dhe në majat e larta, pra ne do të korrigjojmë këtë. Është një fat i madh që Mali i Zi është një vend fqinj, ne ju kemi gëzuar përparimeve të Malit të Zi, veçanërisht anëtarësimit në NATO e që synojmë edhe ne të anëtarësohemi në NATO dhe nuk shoh vështirësi të mëdha në këtë temë. Pra, besoj që do të gjendet një dalje e shpejtë nga gjendja ekzistuese, por nuk po precizoj tani cilët hapa do të ndërmarrim por do të gjendet një dalje e shpejtë nga kjo gjendje dhe nuk do të vonojmë liberalizimin e vizave”, ka thënë Haradinaj për Zërin e Amerikës.

Tutje kryeministri Haradinaj ka thënë se pavarësisht faktit se Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, kjo marrëveshje mund të kthehet në pikën zero përderisa nuk e ratifikon edhe pala tjetër.

“Një marrëveshje është e mbyllur kur e ratifikojnë dy parlamente e jo njëri, sepse është marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë ajo mund të kthehet edhe në pikën zero, pra nëse nuk e ratifikon edhe pala tjetër”, ka thënë Haradinaj.




Be the first to comment

Leave a Reply