“HASHIM THAÇI MUND TË JETË PRESIDENT I PËRBASHKËT KOSOVË-SHQIPËRI”




Deklaratat në Kuvendin e Kosovës të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për një president dhe politikë të jashtme të përbashkët Kosovë-Shqipëri, po i sheh si të qëlluara, politologu, Ramush Tahiri.

“Unë e pash reagimin edhe të Bashkimit Evropian dhe mu duk reagim i keq që tha se Shqipëria po përzihet në punë të Kosovës, sepse Rama ka menduar që një kosovar të bëhet president në Tiranë. P.sh. po e them pa cinizëm se Hashim Thaçi i ka pesë vjet si president i Kosovës dhe mund të zgjidhet edhe si president i përbashkët, qoftë edhe si simbolikë”, ka thënë Tahiri për gazetën Insajderi.

Sipas tij, me këtë edhe forcohet subjektivitetin i Kosovës, por forcohet edhe identiteti shqiptar i Kosovës. “Mendoj se më keq është kur po flasim për dy shtete shqiptare, sepse Kosova ani se është shtet me shumicë qytetare e ka përcaktuar karakteri qytetar. Dy shtete shqiptare nuk ka qenë synim i asnjë lëvizjeje kombëtare që ka ekzistuar deri tani”, ka thënë Tahiri.

 Sipas Tahirit, edhe në të kaluarën shqiptarët kanë pasur telashe me ide të tilla.

“Ne edhe përpara e kemi pasur Hasan Prishtinën kryeministër të Shqipërisë, askush nuk ka thënë diçka. Gjithashtu ne për dallim prej mbretërive të tjera, e kemi pasur Mbretin Ahmet Zog që ka pasur shumë telashe që është deklaruar mbret i shqiptarëve dhe jo mbret i Shqipërisë”, ka thënë Tahiri.

Por, sipas Tahirit, reagimet për idenë e Ramës janë të pavenda. “Njerëzit sot po tuten të flasin hapur për këtë punë. Ne e kemi Vuçiqin në Serbi që është duke e bërë platformën me Republikën Serbe dhe serbët e Kroacisë për të përcaktuar minimumin e kritereve për kombin serb që shtrihet në krejt rajonin. Është duke e përcaktuar edhe në Rumani, edhe në Slloveni e Kroaci dhe askush nuk po i jep vërejtje për këtë”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, ideja e Ramës është e drejtë dhe e mençme, që disa po përpiqen ta devalvojnë. “Rama tha se është institucion simbolik i unitetit. Kjo është më mirë se ajo që disa deputeteë e që po shkojnë të votojnë atje jo për Sali Berishën, jo për tjetrin, por kjo është për të shitur mend”, ka thënë Tahiri.

Ramush Tahiri ka qenë për një kohë këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga.




Be the first to comment

Leave a Reply