INTERVISTË/Zirafete Agushi, flet për Rolin e gruas në Shoqëri dhe proceset politike në Lëvizjen BESA




Në kuadër të intervistave që portali TopAlNews realizon me personazhe të jetës politike në Maqedoni, Sot kemi realizuar intervistë me anëtaren e Kryesisë qendrore nga Lëvizja BESA znj. Zirafete Agushi

 

1.TopAlNews: Kush është Zirafete Agushi dhe çka ju motivoi të kyçeni në politikë ?

Jam nga Tearca ku kam kryer edhe shkollën fillore,shkollën e mesme e kam mbaruar në gjimnazin e Tetovës ndërsa studimet e larta per Gjuhe shqipe dhe letërsi i kam kryer në Universitetin e Tetovës.Si studente kam qenë aktive në disa organizata joqeveritare ndërsa nga viti 2008 punoj si profesoreshë e Gjuhës shqipe dhe letërsisë në SHMEK “8 Shtatori” në Tetovë .

Unë kam bindjen se proceset politike, sidomos ata që i tangojnë problemet tona  madhore nuk mund të shtyhen pa angazhimin edhe të femrës shqiptare.Bota jonë është e destinuar  që përjetë të jetë e qetë, e respektueshme, e dashur, e kujdesshme, duke i siguruar këto vlera jetike jo permës konflikteve, mosmarrëveshjeve dhe luftërave, por, thjeshtë, permës forcës së nënës, së motrës, së gruas, së zonjës, e cila buron nga shpirti i paqtë dhe nga dëshira e përjetshme që sublimohet në fjalinë “mire për të gjithë në botë”! Ky është motivi i vetëm që më nxiti të kyçem dhe të jap edhe unë kontributin tim politik në përpjekjet tona kombëtare për të arritur te më e mira. Unë përqafoj mendimin që thotë se sikur në politikë të ishin të kyçura sa më shumë femra, bota do të ishte më e mirë, më e ëmbël, më me pak telashe dhe më e lumtur. Ndërkaq, në ruajtjen dhe në kultivimin e vlerave kombëtare shpirti femëror ka po atë përkujdesje si ndaj fëmijës e ndaj familjes. Andaj konsideroj që edhe nga ky prizëm duhet të kundrohet interesimi i kyçjes së femrës shqiptare në politikë, sidomos në trevat jashtë shtetit amë.

 

2.TopAlNews: Pse zgjodhët pikërisht Lëvizjen BESA ?

Njeriu lidhet për fjale! Fjalët që i kam dëgjuar dhe fjalët që i kam lexuar në veçanti në platformën kombëtare të Lëvizjes BESA por edhe në programin e saj, pa dyshim që m’i kanë hequr të gjitha dilemat se në cilën parti shqiptare të aderoj. Le të themi se të gjitha janë të mira, janë korrekte, të angazhuara për zgjidhjen e çështjeve kombëtare, por, ja që unë çelësin politik për zgjidhjen e këtyre çështjeve e shoh pikërisht te kjo Parti. Vlerat morale të kombit tone Lëvizja Besa i konsideron si gjënë më të shtrenjtë dhe më të shenjtë, kurse në traditën tone shqiptare, “arka” në të cilën ruhen këto vlera konsiderohet pikërisht femra, nëna, gruaja, motra… Lëvizja Besa jo që ofron mundësi por edhe ofron zgjidhje konkrete për të gjitha problemet shoqërore në vend, në veçanti për problemet shqiptare, të cilat i kundron nga prizmi i tolerancës, bashkëjetesës dhe mirëqenies. Dhe kjo nuk mund të arrihet duke koketuar me armiqtë e këtyre vlerave, e as duke bashkëqeverisur me të tillët në të mire të interesave partiake.Të vetmin interes që duhet ta ketë një parti është angazhimi permanent për sendërtimin e kontratës së nënshkruar me popullin. Është BESA të cilën mund ta jape dhe ta mbajë vetëm Lëvizja BESA.

 

3.TopAlNews: Zëri dhe roli i gruas a duhet të fuqizohet çdo ditë në shoqëri, politikë , edhe pse barazia dhe përfshirja nuk arrihen lehtë?

Rreth kësaj çështje fola më sipër. Pse të synohet vetëm barazia gjinore? Që këtu vihen bazat e diskriminimit gjinor i cili edhe zyrtarizohet edhe institucionalizohet. Pse numri i femrave nëpër organet vendimmarrëse të mos jetë më i madh  se i  meshkujve! Që kur ka nisur angazhimi i gruas shqiptare nëpër sferat e ndryshme shoqërore, pa dyshim që pozita e kombit tonë në mesin e njerëzimit është më e mire dhe më e lakmueshme. Sot, në arsim, në mjekësi, në polici, në ushtri, në parlament, në qeveri, nëpër institucione të ndryshme shtetërore, në administrate zyrtare e publike, femrat tona janë mjaft të suksesshme dhe shumë të respektuara. Familja shqiptare sot ndjehet më e kompletuar, më e çliruar nga steriotipet si dhe më e respektuar.

 

4.TopAlNews: Në mbledhjen e Kuvendit Qendror u zgjodhët edhe anëtare e Kryesisë Qendrore, çka do na thoni për këtë?

Është një respekt i shprehur për mua por edhe një përgjegjësi të cilën ma kanë besuar bashkëpartiakët e mi. Ky besim ka ardhur si bindje e tyre se kam kapacitet edhe se di si të përballem me problemet të cilat i ka shenjuar Partia jonë, dhe, pa dyshim që në këtë aspekt do të bëj ç’mos që mos t’i zhgënjej bashkëpartiakët e mi si dhe të imponohem si modele e femrës shqiptare në luftë për të jetësuar intereset kombëtare që garantojnë një shoqëri më të relaksuar, më të çtensionuar si dhe një shtet më stabil e më të sigurtë për të gjithë.

 

5.TopAlNews: Si e vlersoni rolin e të rinjëve në Lëvizjen BESA ?

Roli i të rinjëve në Lëvizjen Besa është jetik, rinia e BESËS është shtylla kryesore e cila lëvizjen tonë do ta mbajë për jetë vertikale, të palakueshme. Rinia është shpirti revolucionar që i jep hov çdo përpjekje për zgjidhjen e një problemi që e pengon në zhvillimin e saj normal. Rinia nuk duron as ndërkëmbëza e as gjemba nëpër këmbë, nuk duron shtigje qorre, por autostrada të sigurta në rrugëtimin e saj drejtë një të ardhme sa më të lumtur, për të gjithë. Të rinjtë e Lëvizjes Besa paten rastin në zgjedhjet e fundit të dëshmojnë se koha shqiptare po harxhon dhe se nuk e ka ndërmend t’i presë kalkulatorët politik që llogaritë i kanë partiake e jo kombëtare.

 

6.TopAlNews: Si e vlersoni miratimin e ligjit të gjuhëve dhe a do të jetë i vështirë implementimi i tij?

Të kemi kujdes! Ka ekzistuar dhe, fatkeqësisht, edhe më tej, edhe pas miratimit të fundit, ekziston vetëm LIGJI PËR GJUHËN MAQEDONASE  SI DHE PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE TË CILËN E FLASIN 20 PËR QIND NGA NUMRI I PËRGJITHSHËM I POPULLSISË NË MAQEDONI! Dhe ne këtij truku po i themi se “u zyrtarizua gjuha shqipe”! Po kaq “zyrtare” ka qenë edhe me ligjin më të vjetër, kurse me këtë ligj të ri vetëm sa zgjërohet mundësia e përdorimit të gjuhës së atij populli që është 20 përqind nga numri i përgjishthëm i popullates në shtetin tonë. Pra, këtu, akoma ka hezitime, akoma ka refuzime, akoma ka urrejtje dhe mosgatishmëri që ligji ta prezicojë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare dhe institucionale, në çdo pore të shoqërisë sonë.

Kam bindjen se Lëvizja BESA do ta mbajë qëndrimin se, të gjithë ato forca retrograde që edhe më tej, madje edhe me ligj, e refuzojnë përdorimin e gjuhës shqipe,në fakt janë projektues dhe promovues të federalizimit dhe konfederalizimit të Maqedonisë. Sepse, ta refuzosh një gjuhë do të thotë ta refuzosh popullin e asaj gjuhe, do të thotë ta refuzosh vendbanimin e atij populli dhe, ja ku hapet “Kutia e Pandorës”! Të gjithë ata patriot, qofshin këta edhe maqedonasë, të cilët e duan shtetin e Maqedonisë, absolutisht duhet të shprehin respekt për gjuhën shqipe si për një gjuhë nga më të vjetrat në Europë dhe si vlerë e shenjtë shtetërore.Të gjitha vlerat kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë duhet të ruhen, të kultivohen, të garantohen e të sigurohen nga institucionet shtetërore të këtij vendi.Ndryshe, bashkejetesa, përpjekjet për mirëqenie dhe bashkëjetesë do të ishin vetëm një hipokrizi, një mashtrim fatal, që do t’i bënte të gjithë të palumtur e të pasigurtë jo vetëm në shtet por edhe në prag të shtëpisë.

 

TopAlNews: Ju faleminderit.

 

 

 

 

 




Be the first to comment

Leave a Reply