Irma nuk i tremb, shqiptarët nuk largohen nga Florida




Në shtetin amerikan të Floridës, të kërcënuar nga furia e uraganit më të fuqishëm të shekullit në Atlantik, ka një komunitet të madh shqiptarësh.

Por pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve mbi seriozitetin e situatës dhe apeleve për evakuimin e 5,6 milionë personave, një pjesë e mirë e tyre kanë vendosur të qëndrojnë, të bindur se mund ta përballojnë tërbimin e motit.

Pas mesazhit të saj në vazhdën e uraganit Harvey, që gjunjëzoi Teksasin, ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Floreta Faber ka përcjellë përmes facebook-ut shqetësimin e radhës për bashkëkombasit tanë në Amerikë.

Këtë herë, vëmendja është spostuar në pjesën jugore të Floridës, ku autoritetet amerikane, siç sqaron diplomatja, po i qëndrojnë shumë afër popullsisë së zonave që parashikohet të preken nga Irma.

“Gjatë këtyre ditëve jam munduar të qëndroj në lidhje për informacione, me përfaqësuesit e organizatave shqiptare në shtetin e Floridës. Ka pak shqiptarë që duket se kanë lëvizur nga banesat e tyre, pjesa me e madhe besojnë se mund t’i bëjnë ballë situatës aty ku janë”, u shpreh zonja Faber.

Fatmir Cuka është një prej tyre. Në profilin e tij në facebook, ai shkruan se i ka marrë masat, duke siguruar ushqime e gjeneratorë dhe shton se nuk ka frikë nga uragani.

Faber bën thirrje në mesazhin e saj, që të ndiqen udhëzimet e autoriteteve lokale dhe njoftimet e rifreskuara, të cilat dalin nga ora në orë bashkë me parashikimet e lëvizjes së stuhisë.

Banorët e Floridës ende nuk e kanë harruar uraganin Andrew dhe valën e shkatërrimeve që ai shkaktoi në 1992-shin. Irma mund të jetë edhe më e dhunshme, sepse është dy herë më e madhe se ai dhe tregoi fuqinë e vet me rrënimin që la pas në Karaibe.

Niveli i ujit në zonë është rritur krahasuar me dy dekada më parë dhe kjo të paktën për Miamin do thotë dallgë më të larta e rrezik më të madh përmbytjesh.




Be the first to comment

Leave a Reply