Jahjaga: Viktimat e dhunës seksuale janë lënë anash për vite të tëra




Në kuadër të Javës së Gruas është mbajtur konferenca “Përtej Mbështetjes Financiare”, për të trajtuar aspektin e përkrahjes për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se çështja e barazisë gjinore në Kosovë është e vonuar, teksa theksoi se edhe më e ndjeshme është çështja e viktimave të dhunës seksuale.

Ai shprehu mbështetjen e tij të plotë për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë, porse tha se duhet një angazhim i të gjithë akterëve në mënyrë që viktimave të dhunës seksuale t’iu ofrohet një jetë e dinjitetshme.

“Çështja gjinore në Kosovë është në një stad më të vonuar. Kur jemi tek viktimat e dhunës është një situate e ndjeshme. Viktimat e dhunës duhet të fitojnë të drejtën e vet. Institucionet e vendit e ndjejnë pjesën e përgjegjësisë por duhet një angazhim i të gjithëve. Që të mund t’iu sigurojmë trajtim të dinjitetshëm në Qeveri. Ajo që është nga ne, nga legjislativi dhe ekzekutivi, ne do t’i zbatojmë”, tha Haradinaj, transmeton KP.

Edhe ish -presidentja Atifete Jahjaga potencoi se viktimat e dhunës seksuale në Kosovë janë lënë anash për vite të tëra pas luftës në Kosovë.

“Besoj dhe uroj që përmes këtij programi të përmbushet boshllëku ekzistues për mbi 20 mijë gra dhe burra të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Garantimi i të drejtave të tyre do të jenë në fokusin tim edhe në të ardhmen edhe përmes një platforme të re e cila do të lansohet së shpejti. Mbështetja financiare që ka ardhur deri më tash, ne e dimë se nuk mjafton. Viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë më shumë se për ndihmë financiare. Si shoqëri dhe si shtet kemi injoruar dhembjen dhe nevojën e tyre. Në këtë mënyrë i keni heshtur dhe i kemi lënë në mëshirën e askujt”, u shpreh Jahjaga.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha se në kuadër të mbështetjes për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë, janë të gatshëm që të bashkëpunojnë në shërbim të ofrimit të përkrahjes konstante të cilat janë të vazhdueshme dhe mbesin të përhershme.

“Komisioni Qeveritar ka nisur zyrtarisht procesin e verifikimit dhe statusit dhe sekretaria deri më tani ka pranuar 180. Ne e dimë se kjo nuk mjafton të shlyejë plagët e tyre. Ne jemi duke punuar t’iu ofrojmë aftësim profesional dhe punësim”, tha ai.




Be the first to comment

Leave a Reply