Kadri Veseli pritet të “sfidohet” në garën për kryetar të PDK-së




Gjatë këtij viti në disa prej partitë në vend do të ketë zgjedhje të brendshme. Në Partinë Demokratike të Kosovës procesi zgjedhor veç se ka nisur tek të rinjtë, kurse pritet të vazhdojë pastaj edhe në strukturat qendrore.
Në zgjedhjet e këtij viti ndryshe nga të tjerat, në PDK po paralajmërohet se mund të ketë kundërkandidat për Kadri Veselin, kryetarin aktual të partisë.
Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti në një deklaratë për lajmi.net është shprehur i bindur se Veseli do të ketë një rival në këtë garë.
Ai ka thënë se gara për kryetar do të fillojë pasi të përfundojë procesi me të rinjtë dhe me strukturën e gruas së Partisë Demokratike.
“Jam i bindur se do të ketë kundërkandidat për kryetar të partisë. Deri më tani e dijmë se ai do të rikandidohet, por ende s’kemi ardhur deri te zgjedhja e kryetarit. Momentalisht jemi me të rinjtë, pastaj me gruan, dhe do të shkojmë edhe për strukturën e PDK-së. Por gara do të jetë e konkurueshme edhe me kandidatë të tjerë”, ka thënë Hoti.
Nënkryetari i PDK-së nuk ka komentuar se kush mund të jetë kandidatë tjerë, por është shprehur optimist se do të jetë proces pozitiv.
Hoti tutje fillimin e zgjedhjeve të brendshme në parti e ka cilësuar si shumë premtues.
Ai ka thënë se ka shumë fytyra të reja dhe premtuese në zgjedhjet tek të rinjtë të cilat vetëm kanë filluar.
“Fillimi është jashtëzakonisht i mirë, shumë premtues për vetë fakin se ka filluar për së mbari, ka filluar së pari me rininë, ka nëper terren takime të vazhdueshme me kuadrin e ri të PDK-së, është një thellim si kurrë më parë i të rinjve në ndryshimin e strukturës së saj. Me fjalë të tjera ka shumë fytyra të reja, ide të reja, është jashtëzakonisht pozitive dhe shumë premtuese. Është më premtuese sesa është menduar në fillim”, theksoi Rexhep Hoti.
Se kush mund të jetë rivalë i Veselit në garën për liderin e PDK-së ende nuk dihet.
Memli Krasniqi që ishte njëri nga emrat e përfolur, kohë më parë kishte thënë për lajmi.net se nuk ka ambicie për postin e kryetarit të PDK-së.
Ndryshe zgjedhje të brendshme sivjet do të ketë edhe AAK-ja, kurse vitin e ardhshëm LDK-ja.




Be the first to comment

Leave a Reply