Kaosi në “Goodison Park”, UEFA heton incidentet




Edhe pse me një plan të qartë veprimi për shkak të pranisë së huliganëve në kampet e të dy tifozerive, policia e qytetit të Liverpoolit nuk mundi dot të evitonte trazirat dhe kaosin në ndeshjen e parë të Europa League, mes Evertonit dhe Hajdukut të Splitit.

Sfida e fazës së “play off”-eve, mes ishullorëve dhe ballkanasve, u ndal përkohësisht pas incidenteve me tifozët, ndërsa UEFA ka hapur një hetim, që me gjasë do të penalizojë të dyja ekipet.

Disa persona u lënduan dhe të paktën njëri u arrestua, ndërsa futbollistët u udhëzuan të linin fushën nga arbitri sllovak, Ivan Kruzliak. Goli me kokë i Michael Keane dhe rrjeta e Idrissa Gueye i dhanë suksesin komod Evertonit në sfidën ndaj kroatëve.

“Nuk e di se çfarë ndodhi, pasi isha në cep të fushës dhe nuk pashë ekzakt sesi nisi incidenti. Por duhej të ndalonim, pasi duam futboll të pastër”, tha trajneri Ronald Koeman.

UEFA po pret raportin e detajuar disiplinor, para se të vendosë ndëshkimin. Hajduku i Splitit është dënuar edhe më parë këtë sezon në Europa League për sjelljen e tifozëve. Skuadrës kroate iu mbyll një pjesë e stadiumit ndaj danezëve të Brondby për kore raciste, si dhe u gjobit disa herë. Në total, në dekadën e fundit Hajduku ka paguar mbi 700 mijë euro, gjoba nga UEFA për trazirat e tifozëve./TopAl News/

 

 

 




Be the first to comment

Leave a Reply