KËNGËTARI MAHER ZAIN VIZITON MUSLIMANËT E ARAKANIT NË BANGLADESH




Këngëtari suedez me prejardhje nga Libani, Maher Zain, ka vizituar kampet e refugjatëve në Bangladesh ku janë të strehuar muslimanët e Arakanit dhe mori pjesë në aktivitetet për shpërndarjen e ndihmave në rajonin ku vepron Gjysmëhëna e Kuqe Turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të siguruara nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke, dje, Zain, vizitoi Cox’s Bazaar, vendin në Bangladesh ku jetojnë muslimanët e Arakanit të cilët ishin të ekspozuar ndaj persekutimeve në Mianmar.

Ai mori pjesë në shpërndarjen e ushqimit dhe seteve të higjienës në kampin Balukhali dhe si vullnetar i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, shpërndau ndihmat deri tek nevojtarët.

Zain tha se është i kënaqur që është një lloj ndërmjetësi i cili do t’i tregojë opinionit botëror për aktivitetet humanitare të cilat me devotshmëri realizohen nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke.

Ai edhe më herët ka mbështetur ndihmat humanitare ndërkombëtare të Gjysmëhënës së Kuqe Turke ndërkaq në maj të vitit 2017 për të ngritur vetëdijen për urinë dhe dramën në Somali, në ftesë të Gjysmëhënës së Kuqe, pati vizituar rajonin.

– Kriza e muslimanëve të Arakanit

Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, që nga 25 gushti 2017, rreth 688 mijë muslimanë të Arakanit si pasojë e dhunës në Mianmar kanë ikur në Bangladesh.

Imazhet satelitore të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut tregojnë se më shumë se 350 fshatra muslimane janë djegur në atë zonë.

Qeveritë e Mianmarit dhe Bangladeshit më 23 nëntor 2017 arritën marrëveshje për kthimin e muslimanëve në vendin e tyre. Sipas marrëveshjes, ata që duan të kthehen në Mianmar duhet të japin dëshmi se kanë qëndruar në atë vend para ikjes së tyre në Bangladesh. Në vitin 1982, muslimanët e Arakanit u privuan nga e drejta e shtetësisë dhe regjistrimit në Mianmar.

Përveç kësaj, kthimet duhej të realizoheshin brenda dy muajve nga nënshkrimi i marrëveshjes, por flitet se ky proces është prolonguar dhe nuk janë bërë hapa konkretë deri më sot.




Be the first to comment

Leave a Reply