KESH: Përmbytjet në Anën e Malit nga reshjet jo nga shkarkimet




Korporata Elektroenergjetike Shqiptare mohon që përmbytjet në Anën e Malit të kenë lidhje me shkarkimin e HEC-eve.

Sipas KESH, pëmbytjet e disa parcelave në fshatrat Oblike, Gorice dhe Obot kanë ndodhur për shkak të reshjeve të dendura të shiut të datës 2 Mars 2018 dhe nuk kanë lidhje me programin e shkarkimeve të kontrolluara nga Korporata.

KESh thotë se këto parcela ndodhen në kuota shumë të ulta (thuajse në nivelin e shtratit të lumit Buna) dhe çdo herë që ndodhin reshje të dendura shiu kanalet kulluese bëjnë funksionin e kundërt, marrin ujë nga Buna dhe e shpërndajnë në zonat më të ulta të atyre fushave.

Sa i përket situatës hidrike, KESH thotë se gjatë pesë ditëve të fundit, si rrjedhoje e reshjeve të shumta dhe rritjes së temperaturave që shkaktuan shkrije të një pjese të madhe të dëborës së rënë nën 800 metër lartësi, veprimtaria operacionale e KESH mundësoi përballimin e plotave të mëdha të prurjeve që arritën deri në 2,000 m3/sek në Fierzë, 1,200 m3/sek në Koman dhe 550 m3/sek në Vau Dejës.

Gjatë këtyre ditëve, Korporata jo vetëm që ka arritur programin më të madh të prodhimit ditor të realizuar ndonjëherë por ka rezervuar/mbajtur në rezervuaret e HEC-eve të kaskadës rreth 27 milion m3 ujë të cilat nëse nuk do ishin rezervuar, do ti bënin përmbytjet të pashmangshme.

Gjatë orëve të fundit është vënë re një reduktim i nivelit të prurjeve dhe rrjedhimisht KESH ka zvogëluar dhe sasinë e shkarkimeve të kontrolluara pa prodhim energjie.

Të dhënat hidroenergjitike të Kaskadës së Drinit sot më date 5 Mars 2018 ora 10:00 janë:

FIERZA: Kuota 293.78m  | Prurjet=1,230/sec

KOMANI: Kuota 173.34m  | Prurjet=400m3/sek

V.DEJES: Kuota 74.80  | Prurjet=250m3/sek

Nga HEC-i fundor i kaskadës (Vau Dejes) aktualisht shkarkohen pa prodhim energjie 800 m3/s.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, KESH po prodhon në kapacitet të plotë me 13 agregatë në tre hidrocentralet dhe me prodhim ditor mbi 28 milion kilovat/ore.




Be the first to comment

Leave a Reply