Kim Jong-un ndodhet në Kinë?




Ka shumë mundësi që udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ndodhet aktualisht në Pekin të Kinës. Lajmi bëhet i ditur nga CNN.

Nëse ky lajm është i vërtetë, atëherë kjo është hera e parë e liderit koreano-verior që largohet nga vendi i tij që kur mori pushtetin pas vdekjes së babait, në vitin 2011.

Vizita në Kinë vjen disa javë përpara takimit të planifikuar të Kim Jong-un me Presidentin koreano-jugor Moon Jae-in dhe një takimi të mundshëm me Presidentin amerikan, Donald Trump.

Zërat për një vizitë të mundshme të një zyrtari të lartë koreano-verior në Kinë nisën të dilnin në orët e vona të së hënës, kur pamjet e një treni që zotërohet nga familja e liderit nga Koreja e Veriut u publikuan “online”.

Gjithashtu, prezenca e shtuar e forcave të sigurisë jashtë Diaoyutai State Guesthouse, aty ku kanë qëndruar më parë liderët koreano-veriore, përforcuan spekulimet se një anëtar i familjes së Kimit ka udhëtuar në Kinë.

Marrëdhëniet e Koresë së Veriut me Kinën, një aleat tradicional i saj, u ftohën kur Kim Jong-un ekzekutoi disa zyrtarë të lartë të afërt me Pekinin. Tensionet u rritën në vitin 2017, pas disa testimeve raketore nga ana e Veriut.

Tong Zhao, një ekspert i çështjeve të Koresë së Veriut në Pekin, e shpjegoi kështu këtë vizitë: “Koreja e Veriut kërkon garanci në prag të takimit me Presidentin Donald Trump. Takimi me Amerikën është shumë i rëndësishëm, por edhe shumë i rrezikshëm. Nëse takimi dështon, SHBA mund të deklarojë se diplomacia dështoi dhe të kalojë në veprime ushtarake. Kina ka një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje me Korenë e Veriut, sipas së cilës, nëse një nga palët kërkon ndihmë ushtarake në rast sulmi, pala tjetër duhet ta ndihmojë me të gjitha mundësitë që ka”.

Por, ka shumë ekspertë që dyshojnë se Kina do e respektojë marrëveshjen…




Be the first to comment

Leave a Reply