Kosova rrezikon të përjashtohet nga Korniza Evropiane e Kualifikimeve




Pas përjashtimit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, vendi ynë rrezikon të përjashtohet edhe nga një tjetër organizatë evropiane.

Bëhet fjalë për Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve të Kosovës (KKK), e cila rrezikon të shkëpus lidhjen me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve.
KKK-ja në fund të vitit të 2016 është lidhur zyrtarisht me Kornizë Evropiane të Kualifikimeve duke mundësuar kështu punësimin e qytetarëve të Kosovës në tregun Evropian të Punës.

Qytetarët e pajisur me certifikata të akredituara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve nga viti 2016 e deri tani kanë pasur mundësinë e punësimit në Evropë.

Mirëpo, një mundësi e tillë rrezikohet të humbet për shkak të mos përmbushjes së obligimeve ndaj Kornizës Evropiane të Kualifikimeve nga ana e institucioneve që janë hisedarë në KKK, dhe rrjedhimisht nëse diçka e tillë do të ndodh, të rinjve do të ju mbyllet dera për të u punësuar në vendet e BE-së me certifikata dhe diploma të akredituara në Kosovë.

Teuta Danuza, eksperte për KKK e cila njëherësh ka qenë edhe udhëheqëse e procesit të lidhjes së Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve të Kosovës me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, ka thënë për Telegrafin, se njëra ndër hisedarët është Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe në rast se ky institucion dështon të realizojë këto aktivitete KKK mund të shkëpus lidhjen me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve.

“Neve si shtet na është kërkua që të bëjmë një raportim mbi progresin e implementimit pas lidhjes zyrtare. Ky progres do të bëhet këtë vit, dhe institucionet që janë hisedarë të Kornizës kanë obligime që duhet mi realizua. Njëra prej institucioneve është MASHT-i dhe Agjencia e Akreditimit të Kosovës, të cilat kanë obligime të cilat duhet mi realizua përmes aktiviteteve të ndryshme ndaj Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve të cilat duhet të raportohen në Bruksel. Raporti ndodh sivjet më së largu në dhjetor të 2018”, ka thënë Danuza.

Ajo ka theksuar se deri më tash nuk ka asnjë informacion që MASHT-i ka ndërmarr ndonjë aktivitet për zbatimin e obligimeve që i ka ndaj Kornizës.

“Nëse MASHT-i nuk fillon menjëherë me ndërmarrjen e këtyre aktiviteteve ne rrezikojmë të përjashtohemi nga Korniza Evropiane. Pasojat kanë me qenë shumë negative sepse ka me ndiku drejtpërdrejtë në punësimin e qytetarëve tonë në tregun Evropian të Punës me certifikata të akredituara prej Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve në Kosovë”, u shpreh Danuza.

 Danuza tutje ka theksuar se që nga viti 2016 kur edhe është bërë lidhja zyrtare e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve të Kosovës me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, të gjithë qytetarët që kanë pasur certifikatat të akredituara nga AKK kanë mundur të punësohen në tregun Evropian.

“Nëse shkëputja ndodh, ne mundemi mu shkëput dhe me mbet anëtar, por nëse ndodh kjo certifikatat nuk kanë me pas validitet në tregun Evropian të Punës, dhe këtu do të afektohet më së shumti pjesa e popullatës që ka certifikata për zanate të ndryshme nga qendrat trajnuese të punësimit”, theksoi Danuza për Telegrafin.

Ajo ka shtuar se është e rëndësishme që të mos ndodh ajo që ka ndodhur me Agjencinë Kosovare të Akreditimit. E në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se gjendja nuk është alarmante por që kërkon kujdes.

“Nuk është gjendje alarmante por gjithsesi që kërkon kujdes të shtuar. Ne, që nga momenti që e kemi marrë për të drejtuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, jemi duke bërë angazhim të madh që të jemi të gatshëm të punojmë konform kërkesave dhe obligimeve që ka Ministria”, ka thënë për Telegrafin, Valmir Gashi, këshilltari i ministrit Shyqyri Bytyqi.

Në kohën kur është bërë lidhja zyrtare e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve të Kosovës me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve në vitin 2016, në atë kohë ka pasur shtete anëtare të Bashkimit Evropian si Rumania, Qiproja, Greqia që nuk kanë qenë të lidhura në këtë kornizë.




Be the first to comment

Leave a Reply