KQZ decertifikoi edhe pesë kandidatë për zgjedhjet lokale




Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e sotme, me rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, mori tri vendime.

KQZ mori vendim për decertifikimin e pesë kandidatëve nga subjekte të ndryshme politike pasi këta kandidatë kanë parashtruar në KQZ kërkesën për tërheqje.

Ndërkaq u vendos të certifikohen 63 kandidatë të tjerë, nga subjekte të ndryshme politike, të cilët zëvendësojnë kandidatët e decertifikuar nga KQZ-ja për shkak të aktgjykimeve dënuese të plotfuqishme nga gjykata, transmeton Telegrafi.

Po sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për akreditimin e Grupit të parë të vëzhguesve për zgjedhjet lokale. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar në kuadër të këtij grupi është 30. Në mesin e tyre janë edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian. Me këtë rast, anëtarët e KQZ-së u shprehën të kënaqur që edhe këto zgjedhje do të vëzhgohen nga ky mision. Vëzhgimi i zgjedhjeve, u shprehën anëtarët, ndikon në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në procesin zgjedhor.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi raportin e shpenzimeve për organizimin e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 11 qershor 2017.

Sipas këtij raporti, kostoja e përgjithshme për organizimin e këtyre zgjedhjeve është në shumën 4 milion e 38 mijë e 768 euro. Gjatë diskutimeve në këtë pikë të rendit të ditës, anëtarët e KQZ-së theksuan se duke u mbështetur në këtë raport, kostoja e zgjedhjeve po shkon duke u zvogëluar, gjë që është një trend pozitiv.




Be the first to comment

Leave a Reply