Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në fillimin e fushatës zgjedhore. Fushata zgjedhore do të fillojë më 25 shtator në mesnatë dhe do të përfundojë më 13 tetor. Ndërkohë që nga KSHZ kanë informuar se 1 milion e 800 mijë e 705 qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet lokale, por sipas KSHZ-së, ky numër nuk është akoma definitiv. Prej tyre 12 mijë e 919 qytetarë nuk janë regjistruar në listën zgjedhore për arsye se nuk kanë vendbanim apo iu është marrë licenca për punë.
Më së voni deri më 21 shtator KZK i publikon listat e kandidatëve për anëtarë të këshillit dhe për kryetarë të komunave, ndërsa në ato komuna në të cilat më së paku 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhën zyrtare ndryshe nga gjuha maqedonase, publikohen krahas gjuhës maqedonase dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin që e përdorin qytetarët në atë komunë.
Listën zgjedhore, në të cilën janë kryer të gjitha ndryshimet që dalin nga verifikimi publik, e shtypur në certifikata, KSHZ-ja e përfundon më së voni deri në 24 shtator. Listën e përfunduar zgjedhore KSHZ-ja e nënshkruan më së voni deri më 29 shtator. Zgjedhjet e gjashta lokale janë caktuar për më 15 tetor, ndërsa do të zbatohen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Leave a Reply
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.