Kurti: Momenti i fundit që deputetët të bëjnë diçka pa pëlqimin e Malit të Zi




Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputeti Albin Kurti, ka thënë se ky është momenti i fundit që deputetët të bëjnë diçka lidhur me demarkacionin pa pëlqimin e Malit të Zi, sepse pas ratifikimit kjo gjë nuk mund të ndodhë.

“Tash është moment i fundit që deputetët të bëjnë diçka pa pëlqimin e Malit të Zi”.

“Pas ratifikimit, asgjë nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Malit të Zi”.

“S’ka kuptim njëherë ratifikimi, e pastaj korrigjimi”.

Sipas Kurtit, Mali i Zi para ratifikimit të marrëveshjes po sillet butë, por më pas do të egërsohet paksa.

“Mali i Zi po sillet butë deri sa ta marrë këtë ratifikim në Kuvendin e Kosovës”.

“Do të egërsohet ca, ndoshta jo shumë, por do të egërsohet ca”, pohoi Kurti duke iu referuar Malit të Zi pas ratifikimit potencial të kësaj marrëveshjeje të demarkacionit.

Kurti përmendi dy zhvillime që sipas tij janë pozitive. E para, siç e quajti ai, pranimi implicit i fajit nga presidenti Hashim Thaçi, dhe nën dy, pranimi i Malit të Zi për rishqyrtim të kësaj marrëveshjeje, dhe sipas liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, këto zhvillime duhet të mirëpërdoren.

Ai insistoi që së pari të bëhet korrigjimi e pastaj ratifikimi, duke thënë se nxitimi për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të kishte kuptim vetëm po të ishte kriteri i fundit për liberalizimin e vizave.

“Ky nxitim do të kishte kuptim po të ishte kriteri i fundit për liberalizimin e vizave”.

“Lidhja e marrëveshjes së demarkacionit me liberalizim të vizave është veçse shantazh i qytetarëve të Kosovës”.




Be the first to comment

Leave a Reply