Kushtetuesja “hesht” për vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave, Haxhiu e quan zvarritje të qëllimshme




Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave.

E lidhur për këtë çështje, Kushtetuesja ende nuk ka dhënë fjalën e saj. Deputetja Albulena Haxhiu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është e pashpjegueshme vonesa e Gjykatës rreth këtij vendimi.

“Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej kur kemi dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e paligjshëm të Qeverisë për rritjen e pagave për vete dhe ende Gjykata nuk ka vendosur për të njëjtën. Është e pashpjegueshme ngutia e saj në raport me kontestimin tonë për marrëveshjen e demarkacionit dhe në anën tjetër vonesa në raport me një vendim ku të gjitha argumentet janë të qarta, vonesat e tilla janë të papranueshme dhe hapin rrugën presioneve në adresë të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se nuk ka nevojë të zvarritet kjo çështje, ndërsa sipas saj kjo zvarritje duket e qëllimshme.

Në Gjykatën Kushtetuese thonë se vendimi i kësaj gjykate rreth rritjes së pagave nga ana e kryeministrit, varet nga gjyqtarët e kësaj gjykate.

“Nuk ka ndonjë afat kohor për vendimmarrjen e Gjykatës në këtë rast. Se kur do të merret vendimi, kjo varet vetëm nga gjyqtarët e Gjykatës”, ka thënë për Telegrafin, drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula.

Kujtojmë se Agjencia Kundër Korrupsionit kohë më parë pas shqyrtimit të vendimit të Qeverisë për rritjen dhe caktimin e pagave të disa pozitave në Qeveri, ka konstatuar se nxjerrja e këtij vendimi është bërë në konflikt të interesit.




Be the first to comment

Leave a Reply