Kuvendi nuk miraton Projekt-rezolutën e LDK-së kundër Thaçit




Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk miratuan Projekt-Rezolutën për dialogun të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës lidhur me “angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’.

Me 50 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim nuk u miratua Projektrezoluta e LDK-së.

Ndryshe, kundër Rezolutës ishin PDK, AAK dhe Nisma, ndërsa pro Rezolutës kanë votuar deputetët e LDK-së, Vetëvendosjes dhe PSD-së.

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se edhe pas takimit me shefat e Grupeve parlamentare nuk kanë arritur t’i harmonizojnë qëndrimet rreth Rezolutës.

“Nuk kemi arritur të dakordohemi…”, tha ai.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se PDK-ja, nuk do ta përkrahë këtë rezolutë.

“E them më keqardhje që nuk pat vullnet që të ketë dakordësim. Insistimi që rezoluta të ketë vetëm një pikë, dhe jo pika tjera nga koalicioni. Na vjen keq por nuk heqim dorë dhe nuk dorëzohemi që megjithatë të gjejmë një mundësi për ta harmonizuar. Ne nuk do të marrim pjesë fare në votim“, ka thënë Krasniqi.

Shefi i Grupit parlamentar i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se situata në të cilën gjendet vendit kërkon masa preventive, ku sipas tij, presidentit Thaçi duhet t’i ndalohet të merret me çështjen e dialogut me Serbinë.

Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi theksoi se askush nga personalitetet shtetërore nuk ka të drejtë të bisedojë për territorin e Kosovës. Ai tha se askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin pasi kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës.

“Unë konsideroj që është e kotë të flasim për unitet, për harmonizim të qëndrimeve e në të njëjtën kohë pozicionohemi vetëm për atë çfarë them unë ose tjetri”, tha Isufi.

Rezoluta e propozuar nga LDK kishte vetëm një pikë, e që e definon territorin si të pandashëm, ku as presidenti dhe askush tjetër nuk ka mandat për të diskutuar për territorin e Kosovës.




Be the first to comment

Leave a Reply