Lëvizja Besa, zgjedhjet dhe Dita e Gjykimit.




Teoritë politike na mësojnë se edhe gjuha trupore (body language) jep porosinë e saj. Nga pozicionimi i duarve, koka, lëvizja e syve e deri tek qëndrimi i trupit bartin në vete mesazhin tek qëllimi i destinuar. Pra, është një lloj aftësie për të lexuar ‘mes rreshtave’.

Dhe tani që jemi në prag të zgjedhjeve lokale (15 tetor) kandidatët përveç programeve (ofertave) që kanë prezantuar para qytetarëve, ata gjithashtu edhe fotografohen për posterët, billbordët dhe fotografitë që “zbukurojnë” vendin por që e kërkon procesi zgjedhor. Kur jemi tek fotografitë dhe gjuha trupore, është e rëndësishme edhe stili i fotos (pozicionimi). Kandidatët që shikojnë drejt sikur përçojnë mesazhin se do të ballafaqohen me qytetarët në mënyrë të drejtëpërdrejtë, me hallet dhe brengat e tyre, si dhe do të merren me të gjitha problematikat komunale në mënyrë të atillë.

Por ky nuk është rasti me kandidatët nga Lëvizja Besa. Ata nuk kanë dalur duke shikuar drejtë (amfaz) por kanë dalur anash (profil) sikur përçojnë mesazhin e injorimit të qytetarit. Kur i shtohet kësaj se ata mbajnë kokën lart, injorimi bëhet edhe më i madh. Që le të nënkuptojmë se, nga shikimi lart, qytetarët janë poshtë.

Ndonëse me shikimin lart kanë dashur të përçojnë mesazhin e shikimit drejt Zotit, por evidente është se ia kanë huçur keq. Ky gjest përveç që paraqet manipulimin e mëtutjeshëm të L. Besa me fenë, gjesti gjithashtu bie ndesh edhe me praktikën fetare. Porositë profetike të Muhamedit a.s. na shpjegojnë se koka lart (drejt qiellit) bashkë me duart e ngritura lart nënkupton lutjen (duanë). Por nëse është vetëm koka e ngritur lart, kjo madje, krijon përshtypjen e Ditës së Gjykimit kur njerëzit do të shikojnë përpjetë pandërprerë deri sa t’iu zbret libri nga qielli për atë që ata kanë punuar në tokë (veprat e tyre). Është një ditë e trishtueshme dhe tmerruese. Është një ditë e gjatë dhe e dhimbshme. Përplot vite pritje për të filluar Gjykimi i madh. Është një ditë tmerri ku “shtatzëna nxjerr nga barku foshnjen e saj (adoptim), vëllau braktisë vëllanë, Babai braktisë të birin”, etj.

Pra, kandidatët nga Lëvizja Besa në kohën kur duhet të ofrojnë alternativa dhe projekte për qytetarët, të qajnë hallet e tyre, ata na përkujtojnë Ditën e Gjykimit. Ditën e tmerrit dhe trishtimit. Ditën kur puna dhe adhurimi ndaj Zotit nuk bën dobi më. Me fjalë të tjerë, tani që kërkohet zgjidhje e shumë problemeve ditore, Lëvizja Besa me kandidatët e saj na ofron Ditën e Gjykimit. Padyshim se ky gjest është për t’u shokuar. Sidomos kur vjen nga ata që pretendojnë të marrin besimin e qytetarëve për t’na gjykuar (qeverisur) para se të dalim para Zotit. Nëse qytetarët presin ditë më të mira, L. Besa ofron fundin e botës dhe përtej saj … Ditën e Gjykimit.

Kur i shtojmë kësaj çështje edhe moton e përzgjedhur “Për një jetë të re” tamam përputhet me jetën e asaj bote që nuk përket aspak me jetën e kësaj bote.




Be the first to comment

Leave a Reply