Lobi i armëve, Trump përplaset me republikanët mbi projektligjin reformues




“Mos u tmerroni nga lobi i fuqishëm i armëve!”. Duke u larguar nga qëndrimi i partisë së tij, Donald Trump i kërkoi një grupi ligjvënësish të dalin me një projektligj gjithëpërfshirës mbi reformën e armëve.

 Sugjerimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë ishte të zgjerohet kontrolli i historikut të individivëve që duan të blejnë armë, si dhe të ngrihet mosha ligjore e blerjes së një arme, nga 18 në 21 vjeç.

Takimi i Trumpit me kongresmenët erdhi në vazhdën e sulmit tronditës në një gjimnaz të Floridës, që shkaktoi 17 të vdekur.

Ndryshimi i menjëhershëm i kursit të tij ka befasuar shumë ligjëvënës e opinionistë. “Presidenti i la ligjvënësit me gojë hapur”, shkruan “New York Times”.

Për CNN-in, komentet e Trumpit i kanë trazuar sërish republikanët, mbështetës të hapur të së drejtës individuale për zotërimin e një arme, të cilët i shohin kufizimet në këtë drejtim si shkelje të amendamentit të dytë të Kushtetutës amerikane.

“Ata kanë pushtet të madh mbi ju, – u ka thënë Trumpi ligjvënësve, duke iu refuar lobit të armëve “NRA”, – por kanë shumë më pak pushtet mbi mua”.

Presidenti tregoi gjithashtu se përkrah idenë që policia t’ua konfiskojë armët personave të konsideruar të rrezikshëm edhe pa urdhër gjykate, ndërsa vazhdon t’i qëndrojë mendimit se mësuesit duhet të armatosen.

Deklaratat e tij për kontrollin e armëve kanë ndryshuar edhe më parë. Në fillimin e vitit 2000 e mbështeti ndalimin e të ashtuquajturave armë sulmi, por ndërsa i afrohej nominimit republikan për Shtëpinë e Bardhë u përshtat më shumë me bindjet e partisë së tij.




Be the first to comment

Leave a Reply