Lokalet, intensifikohen bisedimet, LSDM dhe BDI me potencial bashkëpunimi




Në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 15 tetor, partitë po grumbullojnë emrat e kandidatëve për kryetar komunash. Partitë politike po bëjnë kalkulime se ku do të marrin më shumë vota. Çdo ditë bëjnë takime joformale me partitë politike të koalicionit, por edhe bisedojnë brenda partisë se cilët kandidatë mund të marrin më shumë vota, këtë për TV21 e thotë Bujar Osamni.  Nga BDI thonë se ditëve në vijim do të publikojnë emrat e të gjithë kandidaturave.

“Po bisedojmë me partitë tjera. Fillimisht me ato që jemi në koalicion për mbështetje eventuale për zgjedhje lokale. Ende nuk kanë përfunduar bisedimet mirëpo parimisht bisedimet janë në drejtim pozitiv”, u shpreh Bujar Osmani, nga BDI.

Njëri prej kandidatëve të sigurt për kryetar komune në Gostivar nga radhët e BDI-së është Nevzat Bejta. Ai do të kandidohet për të tretën herë dhe për TV21 thotë se ka mbështetje prej LSDM-ës dhe prej disa anëtarëve të VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër Petre Shilegov nga LSDM po i fsheh emrat e kandidatëve për kryetar komune. Ai thotë se bisedime po zhvillojnë vetëm me partitë që i kanë në koalicion zgjedhor dhe së shpejti do t’i publikojnë emrat konkret.

“Ende nuk kemi marrëveshje për koalicion me dikë. Përveç me partitë që i kemi në koalicion, jo koalicionin qeveritar por koalicionin që e kemi pas për zgjedhje”, tha Petre Shilegov.

BDI në Komunën e Çairit do të kandidojë me zv/ministrin për Arsim Visar Ganiu. Fatmir Dehari do të kandidohet për herë të dytë në Kërçovë ndërsa do të mbështetet edhe nga Aleanca për Shqiptarët.

Deri më nëntë shtator, partitë politike kanë afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë komunash. Ajo që dihet nga e kaluara për zgjedhje lokale, bastionet e partive në pushtet dhe atyre opozitare bëjnë pika referuese për të bashkëpunuar ndërmjet veti në rrethin e dytë zgjedhor, ndërsa në raste të caktuara nuk përjashtohet edhe bashkëpunimi që në rrethin e parë, kjo për ta ndihmuar njëra-tjetrën, të shkojnë në rrethin e dytë zgjedhor. Shembulli i tillë është Struga dhe Kërçova ku në zgjedhjet e kaluara LSDM dhe VMRO-DPMNE bashkuan forcat, ndërsa në këto zgjedhje do të garojnë si të ndara. /TV21/




Be the first to comment

Leave a Reply