Me një dorë, dalin 291 milion euro nga Shqipëria




Kompanitë me kapital të huaj që veprojnë në Shqipëri kanë dërguar gjatë vitit 2017 rreth 291 milionë euro tek mëmat jashtë në formën e transferimit të fitimeve dhe pagesave të interesave për huatë që mund të kenë marrë tek mëmat.

Shifrat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë në bilancin e pagesave.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, transferimi i fitimeve është rritur me 35%.

Ky është niveli më i lartë i këtij treguesi, i arritur që nga viti 2010, raporton Monitor.

Për periudhën 2008-2010, fitimet e transferuara nga sipërmarrjet e huaja arriti në nivele rekord, që kulmoi në 2009-n, me 402 milionë euro.

Kjo ishte një periudhë e artë për dy kompanitë e telefonisë celulare, të cilët në kushtet e një oligopoli u gëzoheshin normave të larta të kthimit në rreth 50%.

Në vitin 2009, AMC (sot Telecom Albania) kishte fitime rreth 90 milionë euro, ndërsa Vodafone 35 milionë euro, sipas të dhënave nga bilancet.

Kërkesa e lartë për euro për qëllim të transferimit të fitimeve nga këta operatorë, ishte dhe arsyeja kryesore e forcimit të euros, që kërceu nga 123 lekë në vitin 2008, në rreth 132 lek në 2009-n dhe 138 lekë në 2010-n e më pas arriti në 140 lekë deri në 2015-n.

Më pas, me hyrjen e operatorëve të tjerë në treg, konkurrenca u rrit dhe fitimet e telekomunikacioneve ranë. Në vitin 2013, transferimi i fitimeve arriti në nivelin më të ulët prej 78 milionë eurosh. Ndikim në këtë rënie, krahas operatorëve celularë dhanë edhe bankat, të cilat panë tkurrje të fitimeve si rrjedhojë e rritjes së kredive me probleme, çka i detyroi bankat të hiqnin mënjanë shpenzime për provigjionime në kurriz të fitimeve.

Më pas ato shënuan një zgjerim graduale, ndërsa 2017-a shënoi një rritje të fortë të transferimit të fitimeve jashtë. Ndërsa telekomunikacionet nuk janë më aq fitimprurëse, bankat kanë përmirësuar rezultatin në 2016-2017.

Një tjetër kategori që kanë filluar të gjenerojnë fitime relativisht të larta janë dhe koncesionarët, ku aeroporti i Rinasit, p.sh deklaroi një normë fitimi prej rreth 44% në vitin 2016, apo rreth 18 milionë euro fitime. Aleat është një tjetër koncesionar me normë fitimi gati 40% (8 milionë euro fitime).

Nga renditja e 10 sipërmarrjeve me fitimeve më të larta në vitin 2016, katër prej tyre ishin me kapital të huaj (BKT, Intesa, Tirana Inernational Airport, Spiecapag Albania).

Ndonëse transferimi i fitimeve në vitin 2017 ishte në nivelin më të lartë që nga 2013-a, kërkesa më e lartë e kompanive të huaja për valutë nuk ka ndikuar në forcimin e euros, ashtu siç ndodhte vitet e kaluara, duke qenë një tregues indirekt që oferta e saj është aq e lartë në tregun vendas, saqë nuk preket aq nga transaksioneve të mëdha blerjeje, që dikur e çuan monedhën e përbashkët nga 132 në 140 lekë. Përkundrazi, gjatë vitit 2017, euro u këmbye mesatarisht me 134 lekë, niveli më i ulët që nga viti 2009!




Be the first to comment

Leave a Reply