Myftiu i Beogradit: Kosova është djepi i Serbisë




Bashkësia Islame e Serbisë ka respekt ndaj kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe marrëdhënie relativisht të mira me pushtetin në Serbi, thotë myftiu i Beogradit Mustafa Jusufspahiq. Ai thekson se kjo bashkësi fetare do që të merret parasysh edhe mendimi i saj kur bëhet fjalë për Kosovën.

“Nuk duam të na copëtohet vendi dhe nuk është e drejtë t’i ndahet djepi këtij vendi”, citon “veçernje novosti”, të ketë thënë Jusufspahiq, duke e paraqitur qëndrimin e BIS-it lidhur me këtë çështje.

Është në interesin e Bashkësisë Islame të Serbisë që në këtë vend të ketë më shumë myslimanë e me shkëputjen e Kosovës myslimanët do të mbesin pakicë, thotë ai.

“Këtë, fundja, ia kam thënë edhe ministrit të Punëve të jashtme të Gambisë,e cila po e shqyrton vendimin e vet për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo është ajo që ne vërtetë e mendojmë”, ka thënë Mustafa Jusufspahiq.

Ai thekon se me Vuçiqin është i të njëjtës gjeneratë dhe shton se mund t’i thotë krejt çfarë mendon dhe se mendimi i BIS-it merret parasysh kur merren disa vendime të rëndësishme.

“Prandaj do të donim që të merren parasysh edhe mendimet tona kur bëhet fjalë për Kosovën”, ka thënë ndër të tjera ai.




Be the first to comment

Leave a Reply