Ndëshkimi i pare: Shkarkohet nga detyra Fatos Lulo, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese




Ndëshkimi i parë nga vetingu.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot (23 mars 2018) nga detyra gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo.

Vendimi: “Bazuar në pikën 6 të nenit 55 të ligjit 84 për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore për subjektin e rivlerësimit, z.Fatos Lulo dhe shpall vendimin: Në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa, Bungo kryesuese, Etleva Ciftja, relatore, Brunilda Bekteshi, anëtare vendosi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z.Fatos Lulo. ”

Lulo nuk e justifikonte pasurinë e deklaruar mes të cilave flitej dhe për një shumë 480 mijë dollarë kanadeze.

Pas vendimit avokati Ardian Visha deklaroi se do të apelonte vendimin në Kolegjin e Apelimit.

Ardian Visha:  Për standardin që vendos, për mua, për aq sa mund të them është një stekë shumë e ulët poshtë së cilës zor se duhet të kalojë njeri. Kështu që është përdorur prej jush si media me gjithë vlerësimin maksimal për dobinë e atyre do ikin, problemi është kush do rrijë në sistem, ky është problemi.

Ç’do të ndodhë?

Vendimi i arsyetuar me shkrim i njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve pas përfundimit të kësaj seance dëgjimore dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit të Pavarur të kualifikimit.

Ky vendim ankomihet pranë Kolegjit të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit ose komisioneri publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të komisionit. Ankimimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Deri në vendimin e Kolegjit te Apelimit Fatos Lulo do të jetë i pezulluar nga detyra dhe  i njihet e drejta e pagës në masën 75 % të saj.  Nëse Kolegji i Apelimit do të vendosë dhe ai shkarkimin atëherë ai do të jetë i shkarkuar perfundimisht.

Dhurata 480 mije $

Përsa i përket pasurisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pretendon se gjyqtari nuk justifikon pasurinë e tij dhe ka bërë deklarim të rremë.

Etleva Çiftja: Zoti Lulo nuk justifikon pronësinë e apartamentit në rrugën e Durrësit të cilën e ka depozituar me kontratë dhurimi, zyrën në rrugën Ismail Qemali, 100 mijë dollarë të cilat i ka deklaruar si të dhuruara, si dhe 480 mijë dollarë blerje apartamenti dhe nisje biznesi në Kanada”.

Për avokatin, Ardian Visha, nuk bëhet fjalë për fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë por vetëm për pamundësi marrje të dhënash nga Drejtoria e Tatimeve, pasi kjo Drejtori nuk i disponon.

Sipas avokatit, edhe 100 mijë dollarët gjyqtarit ia ka dhuruar e motra e tij, ndërsa apartamentin dhe biznesin në Kanada me shumën prej 480 mijë dollarë, gjyqtari e kishte në plan por nuk e realizoi.

Ç’do të ndodhë me Gjykatën Kushtetuese?

Nga sot Gjykata Kushtetuese mbetet me 5 anëtarë dhe është tërësisht jashtë funksionit të saj dhe fizik pasi duhen 6 anëtarë. Z.Lulo nuk do jetë më derisa Kolegji i Apelimit të marrë një vendim të formës së prerë për ta mbështetur ose rrëzuar vendimin e Komisionit te Pavarur të Kualifikimit

Para pak ditësh është mbajtur mbledhja e parë e Konstituimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organ specifik që drejtpërdrejt do merret me zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që propozohet nga Gjykata e Lartë, Parlamenti dhe Presidenti. Tek të treja këto institucione ka aplikime, por filtrin e tyre do e bëjë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.




Be the first to comment

Leave a Reply