PAN: Seanca e radhës do të jetë vendimtare




Pas dështimit të gjashtë tentativave për të mbajtur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në të cilat do duhej të zgjidhej kryetari i parlamentit dhe nënkryetarët, siç duket bllokimit po i vije fundi.

Koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, PAN po shprehen të bindur se kësaj situate i ka ardhur fundi dhe se seanca e radhës përfundimisht do të jetë dita kur Kadri Veseli do të zgjidhet kryeparlamentar.

Kështu së paku u shpreh deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se në seancën e radhës e cila pritet të mbahet me 7 shtator, do të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët e kuvendit, ndërkaq pas kësaj do të votohet edhe qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Në seancën e radhës presim të zgjidhet kryetari i parlamentit dhe nënkryetarët e parlamentit, po ashtu me një seancë tjetër kurdo që të merremi vesh të zgjidhet qeveria e drejtuar nga zoti Haradinaj. Do të ndodhë zhbllokimi i kësaj situate në të cilën gjendemi”, tha Selmanaj.

I pyetur se a është konfirmuar përkrahja e AKR-së, kundrejt PAN-it, Selmanaj tha se tashmë është krijuar një situatë e re, ku lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli publikisht ka thënë se nuk do e lejojë bllokimin e institucioneve, por do i zhbllokojë ato.

“Kemi një situatë të re në të cilën do të ndodhë zhbllokimi i formimit të institucioneve. Unë mund të them se zoti Pacolli ka thënë publikisht që do t’i zhbllokojë institucionet”, ka thënë tutje Selmanaj. /albeu/




Be the first to comment

Leave a Reply