Patozi nis lëvizjen brenda PD-së, s’e përjashton partinë e re




Edhe pse beson tek forcat e lëvizjeve të brendshme në parti, ideja e një force të re politike nuk është më një opsion që mohohet nga Astrit Patozi dhe grupi i demokratëve që e mbështet.

“Një lëvizje politike në shumë raste është më e madhe se një parti politike, por unë nuk mund të përjashtoj asgjë në rast se shurdhëria dhe mosreflektimi do të vazhdojë. Ne jemi të vendosur t’i qëndrojmë aksionit tonë politik sepse mendojmë se e kemi detyrim ndaj forcës sonë politike ndaj demokatëve në gjithë Shqipërinë, por dhe ndaj vendit në tërësi”.

Ish-nënkryetari i PD-së nisi në fundjavë takimet në rrethe, të cilat thotë se nuk do të jenë mediatike.

Kjo lëvizje ishte e paralajmëruar në rast se Lulzim Basha nuk do t’i përgjigjej platformës së shtatorit për ringritjen e PD-së, që mban vulën e Patozit dhe ish-sekretarit të përgjithshëm, Ridvan Bode.

“Nuk ka asnjë gjest dhe asnjë akt për bashkimin dhe ringritjen e PD, por ka një letargji, në një kohë që po afrohen zgjedhjet lokale dhe PD është në një krizë të madhe përfaqësimi politik dhe në një krizë të madhe idesh dhe nuk ka një projekt, një strategji për të ardhmen”, deklaroi Patozi, shkruan Top Channel.

Por a do ta sfidojnë Lulzim Bashën që për zgjedhjet vendore?

“Tani në politikë asnjëherë nuk thuhet kurrë, por ne çdo vendim do ta ndërmarrin në përputhje dhe në konsultim me demokratët”.

Patozi tha se PD nën drejtim e Bashës po asgjësohet.

“Është hera e parë në Shqipëri sipas tij, që kur qeverisë i bie besueshmëria për shkak të skandaleve dhe korrupsionit dhe opozita nuk ngrihet”, vijoi ish-deputeti demokrat.

Patozi dhe Bode janë më aktivët në parti nga grupi i kundërshtarëve të Bashës, që për hir të së vërtetës nuk e ka më soliditetin e ditëve të verës kur Basha ngriu pozicionet dhe pas një muaji u rizgjodh në krye të PD-së.




Be the first to comment

Leave a Reply