Polemikat për Conten, mediat italiane: Kryeministri i propozuar ka modifikuar CV




Giuseppe Conte, i përzgjedhuri i populistëve italianë për postin e kryeministrit, përballet me akuzat se ai ka modifikuar rezymenë e tij. Këto polemika kanë bërë që presidenti Sergio Mattarella të shtyjë vendimmarrjen e tij për konfirmimin e Contes, i cili gëzon mbështetjen e plotë nga Lëvizja 5 Yjet që propozoi emrin e tij për detyrën e kryeministrit.

Presidenti italian Sergio Mattarella mund të bëjë sot të ditur vendimin e tij sa i përket kandidatit të propozuar për postin e kryeministrit. Shkak për vonesën në miratim nga kreu i shtetit janë bërë polemikat që kanë rrethuar së fundmi Giuseppe Conten, personin e propozuar të hënën nga Lëvizja 5 Yjet dhe Lidhja, si kreun e ri të qeverisë italiane.

Mediat vendase raportojnë se 53-vjeçari Conte, një profesor jo shumë i njohur i drejtësisë, ka modifikuar kualifikimet akademike në jetëshkrimin e tij. Rezymeja e tij prej 12 faqesh ndërtohet mbi lidhjet e Contes me universitete elitare ndërkombëtare në Francë, Britani, Austri dhe Shtetet e Bashkuara, por institucionet nuk konfirmojnë regjistrimin e 53-vjeçarit në kurset e ofruara prej tyre. Ajo që dihet është se Conte është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Sapienzas në Romë, në 1988.

Megjithatë, Lëvizja 5 Yjet e ka mbrojtur kandidimin e Contes dhe ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga media mbi rezymenë e profesorit. Në një deklaratë, partia anti-establishment deklaroi se Conte kurrë nuk ka zbukuruar diplomat e tij, por ka qëndruar jashtë për të studiuar, për të pasuruar njohurinë e tij dhe për të perfeksionuar anglishten e tij ligjore. Në deklaratë, 5 Yjet madje akuzojnë mediat se kanë analizuar rezymenë e profesorit për shkak të frikës që kanë sjellë ndryshimet e ardhshme të prezantuara nga koalicioni i mundshëm qeverisës.




Be the first to comment

Leave a Reply