Rama: Marrëveshje me PD. Të enjten votohet komisioni i reformës




Është nënshkruar këtë të martë marrëveshja e mirëkuptimit mes grupit parlamentar të PS, qeverisë dhe sekretariatit të kësaj partie.

 

Duke drejtuar mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se implementimi i kësaj marrëveshjeje duhet të jetë prioritet për mazhorancën.

“Kjo marrëveshje synon të çojë në nivel të ri bashkëpunimin mes palëve, që janë në të njëjtën skuadër për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale e kolektive, që burojnë nga kontrata e PS me qytetarët. Kjo marrëveshje përbën një pikë referimi për PS, për çdo deputet, qeverinë dhe çdo ministër”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa kryetari i grupit, Taulant Balla ka lënë të kuptohet se ekziston një vullnet i ri për konsensus mbi reformën zgjedhore me opozitën.

Vetë kreu i PS ka theksuar se e mirëpret PD në një dialog të vërtetë për këtë çështje. “Por dëshirojmë të përcaktojmë një kornizë të qartë brenda të cilit do të zhvillohet dialogu dhe bashkëpunimi i shumicës parlamentare me opozitën”, ka thënë kryeministri.

Ai është shprehur se edhe opozita tjetër, LSI, është e mirëpritur të japë kontributin e saj, por baza e konsensusit është PD-PS. Komisioni për reformën zgjedhore do të votohet të enjten dhe Bledi Çuçi do të jetë bashkëkryetar i tij.

Sa i takon reformës në drejtësi, kreu i qeverisë ka nënvizuar se vettingu është kthyer në një debat steril, ndërsa ka premtuar se, “nuk do të kursejmë asnjë burim që kemi për këtë proces”.




Be the first to comment

Leave a Reply