Sela në Tetovë: Do të punojmë në interes të qytetarëve




Aleanca për Shqiptarët sot në sallën sportive në shkollën e mesme mjekësore “Nikolla Shtejn” në Tetovë mbajti konventë promovuese për kandidatët për kryetarë të komunave dhe bartës së listave për këshilltarë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për kryetar të komunës së Strugës, Zijadin Sela i bëri thirrje të pranishmëve që t’i përkrahin kandidatët e kësaj partie.

“A e mbani mend kur Ahmeti tha se kryetari i Kuvendit duhet të jetë shqiptar, por kur erdhi momenti që të votonte për këtë ai nuk ishte në Kuvend, derisa ne ishim atje dhe kontribuam, por edhe u sakrifikuam për këtë. Shqiptaria nuk lindi dhe nuk do të vdesë me Zijadin Selën sepse shqiptaria  jemi ne. Aleanca për Shqiptarët lind në çdo familje dhe  mbrohet në çdo qytet, ndërsa më 15 tetor do të krijohet familja e madhe për të gjithë shqiptarët. Në këto zgjedhje ne kemi kandidatë për kryetar të komunës dhe në qytetin e Shkupit sepse ne nuk jemi në koalicion me asnjë prej partive dhe duam që të shikojmë se sa është fuqia jonë politike  edhe atje”, tha Sela.

Kandidati për kryetar i komunës së Tetovës, Adnan Neziri theksoi se kandidatura e tij është sfida më e madhe në jetën e tij.

“Kemi ekip fitimtar dhe prandaj duhet që këtë ekip ta ruajmë që t’i përmirësojmë institucionet demokratike që të jenë të hapura drejt nesh qytetarëve. Ne jemi ndryshimi që është i nevojshëm, ndërsa do të tregojmë këtë me punën në komunë. Qytetarët këtë do ta ndjejnë përmes rezultateve që do të arrijmë, për dallim nga autoritetet paraprake që nuk ofruan asgjë për ta. Ju bindim se jemi në rrugën e duhur për Tetovën, ekip fitimtar  në të cilin ka nga profesione të ndryshme dhe se jemi të gatshëm që të punojmë për qytetarët”, tha Neziri

Nuk them, shtoi, se do t’i zgjidhim të gjitha problemet, por do të punojmë që të sigurojmë shërbime efektive dhe të mira dhe do të tregojë se punët mund të funksionojnë ndryshe. “Mbeten prioritetet tona mjedis i shëndetshëm dhe i pastër, siguri dhe investime për vende të reja të punës”, tha Neziri.

Para të pranishmëve në Konventën në Tetovë foli edhe shefi i shtabit zgjedhor të partisë dhe zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale Ilmi Aziri, si dhe të gjithë kandidatët për kryetar të komunave nga Aleanca për Shqiptarët.




Be the first to comment

Leave a Reply