Sherr për “Tahirin dhe Xhafaj”, Spaho: Je bërë si Ali komiku; Braçe: Veç si Lulzim komiku mos të bëhem




Lirimi nga arresti shtëpiak i ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri një ditë më parë dhe mosdorëheqja e Fatmir Xhafaj kanë përplasur në debate kreun e grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho dhe kryetarin e Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe.

Sipas Spahos, qeveria Rama nuk është serioze dhe lirimi i Tahirit dje provoi dështimin e të ashtëquajturës reformë në drejtësi.

Deputeti demokrat tha se nëse negociatat nuk hapen në qershor, do të jetë përgjegjësi e mazhorancës.

Në kundërpërgjigje, Braçe tha se prokurorët dhe gjyqtarët që kanë ndjekur çështjen Tahiri janë emëruar në kohën e qeverisjes së demokratëve.

Partia Demokratike ndoqi edhe sot të njëjtën axhendë që ka nisur prej kohës në çdo mbledhje komisioni.

Pasi artikuluan qëndrimin e tyre, demokratët lanë mbledhjen. Në ndryshim, deputeti i LSI-së Edmond Haxhinasto qëndroi në Komision.

Pjesë nga debati në Komisionin e Ekonomisë

Edmond Spaho: Nuk ka në PS, nuk ka në Rilindje njerëz të tjerë që mund të marrin këto përgjegjësi? Edhe ne si opozitë e dimë që ka. Por është kryeministri Rama që insiston që të mbajë këtë kategori në pozicione drejtuese, në pozicionet më të rëndësishme të drejtimit për të shpëtuar veten e tij të gjitha indiciet janë se ai së bashku me të vëllain janë të lidhur me rastin e Xibrakës. Me mosdorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe me atë çka ngjau dje me ish-Ministrin Saimir Tahiri po i prehet rruga hapjes së negociatave. Dhe edhe njëherë pamë sesa farsë është hetimi që po ndiqet gjoja nga prokuroria, u vërtetuan ato që ka thënë opozita prej muajsh se ju doni të kapni prokurorinë që të mos hetoni Tahirin.Ju emëruat në shkelje të ligjit atë prokurore të përgjithshme, po ushtroni presion ndaj gjyqësorit nëpërmjet vettingut dhe rezultati është që Saimir Tahiri dje doli i lirë si gjithë quytetarët e tjerë dhe gjoja po na u hetoka në gjendje të lirë.

Katër fakirët e Kukësit rrinë në burg, kurse Saimir Tahiri del dhe gjezdis i lirë, Mark Frroku del dhe gjezdis i lirë.Ky është efekti i të ashtëquajturës reformë në drejtësi. Që drejtësia ka degjeneruar, prokurori dhe gjyqësori kanë degjeneruar në një nivel të pa pranueshëm mjafton ti referoheni Ambasadorit amerikan për këtë rast.

Kjo është shumë e rëndë për këtë mazghorancë, në raste të tilla do të binte qeveria por këtu nuk ka turp. Gjoja përpiqen për hapje negociatash dhe ja hedhin fajin opozitës që po u bëka pengesë. Opozita prej vitesh është investuar për integrimin dhe hapjen e negociatave me BE. Dhe ky qëndrim që po mbajmë këtë muaj synon të japë shembuj konkret, të saktë, prova që po luftohet krimi i organizuar dhe po prihen lidhjet e tij me qeverinë.Ju në vend që të plotësoni këtë detyre që ju kanë vënë disa vende anëtare të BE, shkoni me hapa pas duke liruar atë që ishte në arrest shtëpiak dhe mbani Ministrin e Brendshëm kur nuk keni arsye pse ta mbani një person të tillë me lidhje të tilla në pozicionin e Ministrit të Brendshëm.

Ne do të vazhdojmë përpjekjet që së paku të përmbushet kriteri kryesor për hapjen e negociatave më pas është përgjegjësia juaj nëse negociatat do të dështojnë dhe ju do të përballeni dhe më ashpër dhe më fort me zemërimin e qytetarëve.

Erjon Braçe: Unë nuk e di kur jeni serioz, kur hidhni këngë dhe valle apo kur flisni në këtë Komision. Së dyti, thatë se është e panegociueshme, nuk po negocion askush asgjë në këtë komision. Së treti thatë që ajo që po bëjnë prokurorët dhe gjyqtarët është shumë e rëndë për këtë mazhorancë, më vjen keq nuk ka asnjë llloj lidhje me ne.Prokurorë janë ata që keni emëruar ju në kohën tuaj. Gjykatës, ata të tre, janë ata që ju keni emëruar në kohën tuaj dhe nuk kanë lidhje fare me ne.

Spaho: Unë nuk dua të bëj replikë me ju se e di se çfarë këngë ke kënduar dhe vazhdon të këndosh.

Braçe: Unë nuk këndoj.

Spaho: Po të kujtoj prokuroren e përgjithshme, prokuroren e krimeve të rënda, po të kujtoj citimet e Ambasadorit amerikan para dhe pas lirimit të Tahirit që është ushtruar presion dhe janë ofruar para dhe e dyta, gjykata vendosi jo mbi prova dhe fakte por mbi presione.

Braçe: Prokurorja e përgjithshme nuk ka më asnjë lloj ndikimi mbi çështjen konkrete. Zot i çështjes konkrete është prokurori Hajdarmataj bashkë me gjithë kolegët atje që edhe dje kanë kërkuar arrest me burg.

Spaho: Je bërë si Ali komiku.

Braçe: Mjafton të mos bëhem si Lulzim komiku.Si çdokush tjetër të bëhem por si Lulzim komiku jo.Edhe njëherë, prokurorët kanë kërkuar edhe dje arrest me burg për Saimir Tahirin. Nëse keni ndonjë problem me gjykatësit, ju lutem shumë drejtohuni KLD, e keni tuajin, e zotëroni nga i pari tek i fundit, ju lutem drejtojuni atij, ata i kanë emëruar dhe ata i mbajnë në detyrë.




Be the first to comment

Leave a Reply