“Shkupi 2014”, asnjë hap për heqjen e përmendoreve




Qeveria aktuale ende nuk tregon çfarë do të bëjë me një pjesë të përmendoreve nga projekti Shkupi 2014 për të cilat komisioni i posaçëm i ministrisë së kulturës tregoi se ka pasur parregullsi procedurale gjatë ndërtimit. Ministri Robert Alagjozovski, sot në Ohër tha se tani për tani nuk ka asgjë të re rreth mundësisë së heqjes së një pjese të përmendoreve.

Grupi i punës vazhdimisht na dorëzon elaborate të reja për përmendoret nga projekti Shkupi 2014, por për fatin e tyre, a do hiqen apo jo, ende nuk ka asgjë. Jemi në bisedime edhe me Qytetin e Shkupit edhe me komunën Qendër dhe përgjithësisht me Qeverinë, pasi shumë nga vendimet për vendosjen e atyre përmendoreve, në qeveri janë miratuar në mënyrë joadekuate. Ende bisedohet për ndonjë skenar të mundshëm për këto raste- deklaroi ministri i Kulturës Robert Alagjozovski.

Grupi i punës i formuar nga kjo ministri e cila kishte për qëllim revizionin e projektit, para një kohe rekomandoi heqjen e përmendores së Aleksandrit të Madh nga sheshi i Shkupit dhe përmendoret e Nënës Terezë dhe Andon Janev Qoseto. Më parë ministri Alagjozovski theksoi se pjesa më e madhe e këtyre përmendoreve janë vendosur pa leje përkatëse ose janë bërë shumë shkelje të procedurave gjatë ndërtimit të tyre.




Be the first to comment

Leave a Reply