Shqipëri, Meta i jep shtetësinë Kryepeshkopit Janullatos




Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i jep shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Janullatos, i cili është në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë prej 25 vitesh.

Zyra e shtypit e Presidencës njoftoi të dielën se Presidenti Meta dekretoi dhënien e shtetësisë shqiptare në datën 22 dhjetor 2017.

“Gjatë 25 viteve si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, duke kontribuar me përkushtim në ringritjen e plotë kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në rimëkëmbjen dhe ngritjen e objekteve të besimit ortodoks, në ringjalljen, kultivimin dhe ruajtjen e traditës shumëshekullore të besimit ortodoks në Shqipëri dhe në ndërtimin e veprave në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale, zhvillimit rural, kulturës dhe mjedisit në Shqipëri, keni dëshmuar se udhëhiqeni nga besimi, dashuria, paqja, shpresa dhe mësimet e veprat e shenjta të Zotit”, thuhet në letrën që presidenti Meta i ka dërguar Kryepeshkopit Janullatos.

Në letrën e tij, presidenti Meta shpreh bindjen se ky veprim, jo vetëm përmbush një detyrim institucional, por është edhe shprehje e mirënjohjes për përkushtimin shpirtëror të Kryepeshkopit Janullatos në Shqipëri.

Me këtë rast, presidenti Meta ju uroi besimtarëve ortodoksë, të krishterë e të gjithë shqiptarëve, të kalojnë Krishtlindje të bukura, të gëzuara dhe të lumtura dhe lutjet e kësaj ditë të shenjtë të sjellin më shumë paqe, dashuri, harmoni e mirëkuptim jo vetëm mes nesh, por edhe mes të gjithë kombeve të botës.




Be the first to comment

Leave a Reply