S’ka akord mes LSDM-BDI, dështon seanca për ligjin mbi gjuhët




Përpjekjet e Kuvendit të Maqedonisë për leximin e tretë të ligjit për përdorimin e gjuhëve dështuan.

Seanca u shty fillimisht, e më pas kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk i thirri më deputetët në sallë.

Burime nga partitë bëjnë të ditur se shtyrja e leximit të tretë, respektivisht shqyrtimit të mbi 35 mijë amendamenteve të VMRO-DPMNE-së, u bë për shkak të mosgjetjes së gjuhës së përbashkët mes partnerëve të koalicionit, LSDM-BDI.

Kjo e fundit, përfshi edhe kreun e Kuvendit, ka kërkuar që leximi i tretë të kalojë pa shqyrtuar asnjë amendament të opozitës, por kjo nuk është pranuar nga socialdemokratët.

Sipas partisë së kryeministrit Zoran Zaev, shqyrtimi i amendamenteve nuk është i domosdoshëm, por votimi i tyre një për një duhet të bëhet, veprim ky i cili do të zgjaste me muaj.

Kjo mosmarrëveshje shtyn për një afat të pacaktuar leximin e tretë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke zgjatur edhe më shumë kalvarin e gjuhës shqipe në Maqedoni.

Ndryshe, kryeparlamentari Xhaferi i ftuar në emisionin 200 në Alsat-M, ka thënë se ju ka dhënë kohë një javë partive politike të gjejnë zgjidhje, sepse mudësitë që ishin në dorën e tij tashmë kanë shterruar.

I pyetur se si pret të reagojë opozita nëse ligji votohet pa diskutimin e amandamenteve, Kryeparlamentari tha se nuk pret që ata të pajtohen me këtë veprim dhe pret reagimin e tyre në kuadër të procedurales dhe se nuk lejon të shantazhohet apo nuk pranon ultimatum nga askush, sepse Kuvendi nuk funksionon ashtu.

Xhaferi nuk pranoi se koalicioni qeveritar është në krizë, pavarësisht se tha që ishin shkak deputetët e LSDM-së ata të cilët pamundësuan mbajtjen e seancës së sotme.




Be the first to comment

Leave a Reply