Sot, rekomandimi i KE për çeljen e negociatave i qartë dhe pa ekuivok




Komisioni Europian do të rekomandoj sot hapjen e negociatave për Shqipërinë me BE.

Burime të sigurta të Ora News konfirmojnë se Komisioni do të rekomandojë qartë dhe pa ekuivok hapjen e bisedimeve.

Mësohet se në raport është përfshirë dhe reforma në drejtësi ku në marrjen e vendimit pozitiv duket se kanë ndikuar rezultatet e deritanishme me vetingun dhe largimin e 15 gjyqtarëve e prokurorëve si pasojë e këtij procesi.

Burimet e Ora News konfirmojnë se deri në qershor Komisioni Europian pret rezultate konkrete dhe të prekshme nga zbatimi i reformës në drejtësi.

Po sot në Shqipëri do të jetë dhe shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini, e cila do të paraqesë raportin si dhe strategjinë e zgjerimit.

Po ashtu në 23 prill pritet që në Shqipëri të mbërrijë dhe Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk.

Komisioni Evropian pritet të japë sot rekomandim pozitiv dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë, vendim që vjen pas rezultateve të para të bisedimeve me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Optimizmi i Brukselit për rajonin e Ballkanit Perëndimor duket se zbehet në rastin e Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat sipas, europarlamentarit Eduard Kukan nuk duhet të presin rekomandime pozitive nga Komisioni, pasi nuk kanë zgjidhur ende shumë çështje të brendshme dhe me fqinjët.

Teksa në rastin e Turqisë, mësohet se sërisht do të ketë një përgjigje negative sa i përket çeljes së një kapitulli të ri të negociatave me bllokun europian.

Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i sundimit të ligjit, shkruan EUobserver, janë detyrime themelore që Turqia duhet të përmbushë si vend kandidat.

Ndërkohë më 25 prill kryeministri Rama do të udhëtojë drejt Berlinit i ftuar në takim zyrtar nga kancelarja gjermane Angela Merkel.




Be the first to comment

Leave a Reply