Të mërkurën protestohet për rastin e Almirit




Të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, me moton “Pranverë pa drejtësi”, qytetarët të mërkurën më 21 mars, përpara Qeverisë së Maqedonisë do të protestojnë kundër rikualifikimit të lëndës nga Prokuroria nga “vrasje” në “aksident trafiku me pasoja vdekje”.

“Ju presim në Protestë të shprehni revoltën tuaj ndaj mafies gjyqësore. Sillni me vete lodër, veshje apo çkado më të zemrës nga fëmija apo nipit/mbesa juaj. Protesta do të jetë e qetë sepse do të ketë shumë nëna dhe fëmijë”, thuhet në thirrjen e protestës.

Ndryshe më 15 mars, Gjykata Themelore e Kumanovës e ka pranuar propozimin e Prokurorisë dhe e ka rikualifikuar lëndën. Sipas akuzës, vrasësi i Almirit, Boban Iliq, tani do të ndiqet për aksident dhe jo për vrasje, gjë e cila revoltoi qytetarët të cilët kanë dalë disa herë në protesta.

Sipas prokurores përgjegjëse, Suzana Kusigerska rikualifikimi është bërë sepse në fillim kur është ngritur aktakuza, dëshmitë nga ekspertiza ligjore janë vonuar duke thënë gjithashtu se i akuzuari Boban Iliq ka kryer veprën penale në aksident trafiku duke rrezikuar sigurinë e këmbësorëve në gjendje të afektit emocional, apo pa paramendim. Pas mbarimit të seancës, vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ua ka treguar gishtin e mesëm familjarëve të Almirit.

Ndaj Boban Iliq nuk është caktuar asnjëra nga masat e rreptësisë dhe është lënë në liri, i cili pasi doli nga Burgu i Shutkës, kërcënoi gazetarin e TV21 dhe ledhatoi Mercedesin, me të cilin e kishte kryer aktin e vrasjes.




Be the first to comment

Leave a Reply