Të pathënat e divorcit të Erjonës me Blerimin: Fitova lirinë, gratë e futbollistëve nuk kënaqen




Erjona Sulejmani, ish bashkëshortja e mesfushorit tetovar të Zvicrës, Blerim Xhemajli, ishte e ftuar në emisionin Top Show Magazine, në Top Channel, ku rrëfeu njohjen e saj me futbollistin, shkaqet e ndarjes, por edhe planet për karrierën e saj.

Si je njohur me Xhemajlin?

Erjona: Jemi njohur para 4-5 vitesh në Milano dhe nuk e dija se ishte futbollist, pasi më kishte shkruar se ishte gazetar dhe donte të më intervistonte. U njohëm, u dashuruam dhe krijuam një familje, ndërsa kemi bërë 3 dasma.E para ishte në Shkodër, në qytetin tim të lindjes, tjetra në familjen e tij dhe e 3-ta me shoqërinë. 6 muaj pas njohjes më ka propozuar për martesë.

Pse erdhi ndarja mes jush?

Erjona: Sepse gjatë periudhës që ishim bashkë, mua po më mungonte shumë karriera, pasi po rrija vetëm në shtëpi, ku laja e gatuaja dhe kujdesesha për fëmijën tonë. Gjatë kësaj kohe kisha refuzuar edhe shumë kontrata pune, ndaj e pashë që nuk mund të vijohej duke ndenjur mbyllur. Jam dakord që kishim shumë para, por paraja nuk është gjithçka.

A keni përfituar para nga divorci me Xhemaljin?

Unë nuk kam përfituar dhe madje kam refuzuar çdo gjë prej tij. Tjetër gjë se çfarë do të japë për djalin, por unë nuk dua asgjë prej tij dhe e them edhe publikisht.

A janë të lumtura gratë e futbollistëve?

Erjona: Jo në shumë raste, pasi futbollistët nuk i lënë gratë e kënaqura. Kjo ishte edhe deklarata ime në mediat italiane. Gjithsesi kjo nuk ka qenë shkaku i ndarjes time me Blerimin, por ka qenë ajo derdhja e kupës, që mbushej vazhdimisht duke më mbyllur. Tani unë kam hapur një kapitull të ri, pasi kam filluar të jetoj si një femër e lirë dhe liria nuk ka çmim, ashtu si edhe lumturia. Liria dhe lumturia nuk kanë çmim, pasi kafazi i artë është njësoj kafaz dhe të mban të mbyllur.

A ia vlen të martohesh me një futbollist?

Erjona: Absolutisht jo. Të gjitha gratë e futbollistëve që kam njohur, nuk janë plotësisht të lumtura. Bota e futbollistëve duket kaq e bukur, por kur je brenda e kupton se nuk është ashtu siç duket.

A tradhtojnë futbollistët? Po Blerimi?

Erjona: Patjetër që po. Blerimi jo, ose të paktën unë nuk e kam kapur asnjëherë duke më tradhtuar.

Keni thënë se jeni më e mençura ndër gratë e futbollistëve..

Erjona: Po është e vërtetë, pasi unë isha e para që pata kurajën të refuzoj atë kafazin e artë të tyre, për të jetuar lirinë time.

Ditët e fundit është ndarë edhe Valon Behrami nga bashkëshortja…

Erjona: Ouu… Nuk e dija, por po më vjen mirë që u kam dhënë kurajë grave të futbollistëve. E kam shoqe bashkëshorten e Valonit, pasi kemi dalë shpesh bashkë, kur isha me Blerimin.

Kur keni shkuar në Itali?

Erjona: Që në moshën 10-vjeçare, ndërsa në moshën 15-vjeçare kam filluar karrierën si modele. Gjithmonë kam pasur dëshirë të bëj karrierën time dhe jo të bëhesha një shtëpiake, që t’i shërbeja vetëm burrit dhe familjes time.

Kur u bëre e famshme?

Erjona: Mendoj se gjatë kampionatin Europian në Francë, pasi aty mediat shkruan shumë më tepër për mua, sesa për Blerimin.

A u bë ai xheloz për këtë fakt?

Erjona: Edhe kjo ka qenë një nga shkaqet e ndarjes tonë, pasi ai nuk e priti aspak mirë këtë fakt, që flitej më shumë për mua, sesa për të.

Bota e televizionit është gjithashtu shumë e egër…

Erjona: Absolutisht që po, por tani marr kënaqësinë e arritjeve të mia dhe punës time. Kam agjentin tim, që menaxhon punën dhe kujdeset për të vlerësuar ofertat që vijnë për mua. Kam shumë dëshirë që të kem një program timin në të ardhmen, një reality show.




Be the first to comment

Leave a Reply