Thaçi në Epopenë e UÇK-së: Nuk do të lejoj askënd të vë veto për formimin e ushtrisë




Forca e Sigurisë së Kosovës sot organizoi ceremoninë për manifestimin e “Epopesë së UÇK-së”, ku morën pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj – në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij duke lavdëruar FSK-në tha se transformimi i FSK-së do të bëhet me ndryshime kushtetuese ndërsa tha se nuk do të lejojë askënd që të vë veto të pakufishme.

“Niveli i përgatitjes suaj në shumë dimensione, është më i mirë se i forcave të armatosura të rajonit. Edhe pse sot është një ditë festive ku përkujtohet krenaria dhe sakrifica për liri dhe pavarësi, nuk mund të mos e themi se marshin tuaj të ecjes përpara në transformimin profesional, nuk arriti ta përcillte politika jonë. Jam i bindur se ky hap final i bërjes së Kosovës me Forca të Armatosura, pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-të, KFOR-in dhe NATO-në, është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, të të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe rajon. Ne duam dhe synojmë që Forcat e Armatosura të bëhen me ndryshime Kushtetuese, duke u bashkuar në një vend në Kuvendin e Kosovës, vullnetin politik, të të gjitha komuniteteve, por në të njëjtën kohë nuk do të lejojë askënd të vë veto të pakufishme për të drejtën tonë legjitime dhe legale“, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërkaq kryeministri Ramush Haradinaj tha se FSK me ndryshime kushtetuese shumë shpejt do të shndërrohet në ushtri, në bashkëpunim me NATO.

“Sot ne mund të kthejmë dhe të kujtojmë me respekt rënien e komandantit Adem Jashari”, ka thënë Haradinaj.

Rifat Jashari në emër të familjes Jashari ka thënë se sot po kujtojnë të gjithë të rënët për trojet shqiptare në Kosovë.

“Ne pasardhësit e tyre e kemi të obligueshme që të ulemi të gjithë bashkë dhe ta qojmë vendin përpara”, ka thënë Jashari. /kp/




Be the first to comment

Leave a Reply