Trump nuk gjen avokat. Askush nuk i del në mbrojtje presidentit për Rusinë




Donald Trump, – shkruan CNN, – ka një problem të padëgjuar më parë: Nuk po gjen dot avokatë.

Disa firma të mëdha ligjore në Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar, sipas gjigantit mediatik amerikan, t’i ofrojnë shefit të Shtëpisë së Bardhë asistencë në hetimin e ndërhyrjes së supozuar ruse në zgjedhje, shkruan TopAl News

Pesë të tilla kanë hequr dorë nga mundësia për të përfaqësuar kreun e administratës, në vazhdën e shkundjes që pësoi javën e kaluar ekipi i tij i avokatëve mbrojtës, ndërsa vet Trumpi parashikon një dëshmi të mundshme në kuadrin e hetimit të Robert Muellerit.

Juristë me emër në Uashington cituan disa arsye për refuzimin e presidentit, të cilin e shohin si një klient të vështirë, që në jo pak raste i ka hedhur poshtë këshillat e avokatëve, duke ua vështirësuar kështu punën.

Nga ana tjetër, Trumpi perceptohet si kaq jopopullor, saqë më shumë mund t’ua dëmtojë reputacionin firmave në fjalë, sesa t’u sjellë atyre përfitime.

“Me një figurë kaq polarizuese sa presidenti, vendimi për ta përfaqësuar nuk merret dot aq lehtë”, thotë Philip West, president i firmës së njohur ligjore “Steptoe & Johnson”.

Nga ana tjetër, edhe në një qytet si Uashingtoni, me një industri të stërmadhe ligjore, shumë juristë të suksesshëm e specialistë të sigurisë kombëtare janë pajtuar ndërkohë nga dëshmitarë, subjekte e kompani të përfshira në hetimin “Mueller”.

Për momentin, ekipi mbrojtës i Trumpit përbëhet nga dy juristë, Ty Cobb e Jay Sekulow, e asnjëri prej tyre nuk është pjesëtar i ndonjë firme ligjore tradicionale. /TopAl News/

 




Be the first to comment

Leave a Reply